
Protestat qytetare vijojnë edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e 43-të radhazi. Protestuesit pritet të mblidhen fillimisht në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më pas drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Prej më shumë se një muaji, protestat janë karakterizuar nga pjesëmarrja e lartë, energjia dhe vendosmëria e qytetarëve për të mbajtur të gjallë kauzën e tyre, duke u mbledhur çdo ditë në rrugët e kryeqytetit.
Edhe një ditë më parë, në ditën e 42-të të protestave, mijëra qytetarë u grumbulluan përpara godinës së Kryeministrisë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Pas fjalimeve të mbajtura në tubim, protestuesit marshuan në rrugët kryesore të Tiranës, duke shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë dhe klasës politike. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Ju erdhi fundi”, “Revolucion”, “Nesër më shumë”, “Arrestoni Ramën”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Shqipëria kërkon revolucion”.






















