Shqipëria vijon të ketë ndër pagat më të ulëta në rajon. Në vitin 2025, paga mesatare mujore bruto arriti në rreth 860 euro, ndërsa në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut ishte 30-50% më e lartë.
Vetëm ky hendek do të ishte një arsye e mjaftueshme për pakënaqësi dhe protestë, sidomos në një vend ku çmimet janë afruar me nivelet europiane, ndërsa fuqia blerëse mbetet dukshëm më e dobët.
Por protesta që po zhvillohet prej javësh në Tiranë po tregon se, pas më shumë se 30 vitesh tranzicion, paga nuk është më argumenti i vetëm, madje për shumë nuk është as arsyeja kryesore. Në shesh nuk janë vetëm qytetarët me të ardhura të ulëta apo familjet që përballen me vështirësi ekonomike.
Protestën po e mbështet dukshëm edhe një shtresë e mesme urbane, e arsimuar dhe profesionalisht aktive, e cila mund të ketë paga mbi mesataren, madje ndjeshëm më të larta.
Një anketë e “Monitor”, e plotësuar nga 1,114 qytetarë, – që duhet theksuar nuk është përfaqësuese për të gjithë popullsinë, pasi pjesëmarrësit nuk janë përzgjedhur në mënyrë rastësore dhe përgjigjet janë dhënë vullnetarisht, – gjeti se 90% e tyre e mbështesin protestën.
Arsyet kryesore lidhen me faktorë si korrupsioni, kapja e shtetit, mungesa e perspektivës për të ardhmen, keqqeverisja, mungesa e llogaridhënies, mungesa e drejtësisë e mosndëshkimi i abuzimeve.
Mbrojtja e interesit publik, e mjedisit, arsimit, shëndetësisë dhe hapësirave publike u rendit gjithashtu ndër shqetësimet kryesore. Varfëria dhe rritja e çmimeve ishin të rëndësishme, por jo arsyeja dominuese.
Audienca përbëhet kryesisht nga ekonomistë, profesionistë të lirë, sipërmarrës, punonjës të sektorit bankar, teknologjisë së informacionit dhe profile të tjera urbane e të arsimuara dhe për të cilat ka treg pune relativisht dinamik.
Pikërisht kjo strukturë anketuesish dhe përgjigjesh, që sigurisht nuk mund të përgjithësohen me shkallë të lartë saktësie, ka vendosur të shprehet në favor të zërit të protestës.
Kjo do të thotë që reagimi qytetar në vend po merr tipare të reja dhe po sjell zërin e një shtrese që duhet dëgjuar, sepse është aktive në ekonomi, paguan taksa, krijon vende pune dhe, në shumë raste, ka zgjedhur ende të ndërtojë jetën në Shqipëri.
Rezultatet sugjerojnë se, të paktën për segmentin urban dhe profesional që ndjek “Monitor”, shoqëria shqiptare ka hyrë në një fazë të re. Pas tri dekadash, një pjesë e qytetarëve nuk e mat më zhvillimin vetëm me shumën që merr në fund të muajit.
Paga mbetet thelbësore, por krahas saj kërkohet një shtet që funksionon, drejtësi që vepron njësoj për të gjithë, administratë që shpërblen meritën dhe vendimmarrje që nuk zhvillohet larg interesit publik.
Pikërisht kjo shpjegon praninë e bankierëve, profesionistëve të lirë, sipërmarrësve dhe punonjësve të teknologjisë në protestë.
Shumë prej tyre kanë të ardhura të qëndrueshme, por përballen çdo ditë me pasigurinë institucionale, mungesën e meritokracisë, korrupsionin, degradimin e mjedisit dhe ndjesinë se zhvillimi i vendit nuk po përkthehet në një standard më të mirë jetese.
Edhe përgjigjet e punonjësve të sektorit bankar janë domethënëse. Nga 150 të anketuar në aktivitetet financiare dhe të sigurimeve, 89% janë shprehur pro protestës. Për këtë grup, pakënaqësia nuk lidhet vetëm me portofolin.
Ajo lidhet me cilësinë e shtetit, me mënyrën se si merren vendimet dhe me frikën se, pavarësisht suksesit personal, vendi po humbet mundësinë për t’u bërë më i drejtë, më i jetueshëm dhe më konkurrues.
Një profesionist mund të ketë një pagë të mirë, por kjo nuk e mbron nga ajri i ndotur, trafiku, betonizimi, shërbimi i dobët shëndetësor, arsimi që nuk prodhon aftësitë e nevojshme apo një administratë që funksionon sipas lidhjeve dhe jo rregullave.
Mund të ketë një apartament, por jo një qytet të jetueshëm. Mund të ketë një punë të mirë, por jo sigurinë se fëmijët e tij do ta shohin të ardhmen këtu.
Për këtë arsye, rritja ekonomike nuk matet vetëm me Prodhimin e Brendshëm Bruto, numrin e turistëve, lejet e ndërtimit apo pagën mesatare. Jo më kot ka një mori statistikash dhe indeksesh të tjera të shpikura nga statisticienët dhe të matura nga institutet statistikore që përpiqen të përafrohen në realitetin e zhvillimit të një vendi.
Në indeksin e lumturisë së OKB-së, Shqipëria historikisht është renditur e fundit apo e parafundit në Europë, duke lënë pas vetëm Turqinë dhe shumë më poshtë se Kosova, që ka të ardhura për frymë e paga më të ulëta sesa ne.
Zhvillimi është edhe cilësi institucionesh, konkurrencë e ndershme, mjedis i mbrojtur, hapësira publike, drejtësi, siguri dhe besim se rregullat vlejnë njësoj për të gjithë.
Në fakt, këto elemente nuk janë në kundërshtim me rritjen e pagave. Përkundrazi, ulja e korrupsionit dhe forcimi i shtetit ligjor do ta bënin vendin më tërheqës për investime cilësore dhe afatgjata.
Një ekonomi më konkurruese, më produktive dhe më pak e varur nga ndërtimi e konsumi do të krijonte vende pune më të mira dhe paga më të larta. Një zhvillim i qëndrueshëm i territorit dhe mjedisit do të rriste vlerën reale të jetesës dhe jo vetëm çmimin e pronës.
Shqipërisë i duhen paga më të larta, por edhe më shumë se kaq. I duhet një model zhvillimi ku përmirësimi i të ardhurave shoqërohet me përmirësimin e jetës së përditshme.
Nëse qytetarët me arsim universitar e pasuniversitar, të ardhura të mira dhe perspektivë profesionale ndihen njësoj të pakënaqur sa ata me të ardhura të ulëta, problemi nuk është më vetëm ekonomik, por institucional. Pikërisht aty matet cilësia reale e zhvillimit të një vendi. Monitor.al






















