Irani ka deklaruar se nuk ka plane për të rinisur negociatat me Shtetet e Bashkuara dhe se do të vazhdojë të reagojë ndaj sulmeve amerikane.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baghaei, tha për mediat në Teheran se prioriteti i vendit mbetet mbrojtja dhe se aktualisht nuk ka një plan për bisedime me Uashingtonin.
“Për momentin nuk kemi plane për negociata dhe mbetemi të fokusuar në mbrojtjen e vendit”, deklaroi Baghaei.
Ai shtoi se Irani nuk do t’i përmbahet asnjë marrëveshjeje nëse Shtetet e Bashkuara nuk respektojnë detyrimet e tyre, duke akuzuar Uashingtonin se ka shkelur kushtet e armëpushimit.
“Ky është një parim dhe ne do të vazhdojmë ta ndjekim atë”, u shpreh zëdhënësi iranian.
Pas deklaratave të Baghaeit, agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve “Mehr” raportoi se Shtetet e Bashkuara kishin kryer një sulm ndaj ishullit Hengam të Iranit, pranë ngushticës së Hormuzit.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar për sulme të reja ndaj Iranit, nëse Teherani nuk pranon një marrëveshje për përfundimin e konfliktit.






















