
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se SHBA-ja mund të ndërmarrë sulme ndaj urave dhe termocentraleve të Iranit javën e ardhshme, nëse Teherani nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve.
Deklaratat u bënë gjatë një interviste për Fox News, në një kohë kur SHBA-ja dhe Irani kanë shkëmbyer sulme për të katërtën ditë radhazi, pas përfundimit të armëpushimit.
Më herët, Trump hoqi dorë nga kërcënimi për vendosjen e një tarife prej 20% ndaj të gjitha anijeve të mallrave që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, por njoftoi rifillimin e bllokadës së porteve iraniane.
“Javën tjetër do të bëhet shumë keq për ta. Do t’i shkatërrojmë të gjitha termocentralet e tyre. Do t’i shkatërrojmë të gjitha urat e tyre nëse nuk ulen në tryezë dhe nuk negociojnë”, u shpreh Trump.
Sipas tij, negociatorët amerikanë u kanë bërë të qartë homologëve iranianë gjatë bisedimeve të së martës se duhet të arrijnë një marrëveshje, përndryshe do të përballen me pasoja të rënda.
Përshkallëzimi i retorikës vjen pasi Trump deklaroi se tarifa 20% e paralajmëruar për trafikun detar në Ngushticën e Hormuzit do të zëvendësohet me marrëveshje të mëdha tregtare dhe investimesh me vendet e Gjirit. Megjithatë, vetëm disa orë më vonë, Shtetet e Bashkuara rifilluan bllokadën ndaj porteve iraniane.






















