Një zjarr i fuqishëm në një kantier ndërtimi në qendër të Brukselit ka shkaktuar disa viktima, ndërsa disa persona të tjerë rezultojnë ende të zhdukur, sipas autoriteteve belge.
Ngjarja ndodhi në projektin e rinovimit të ndërtesës Oxy, në sheshin Place de Brouckere, ku në momentin e shpërthimit të flakëve po punonin më shumë se 200 persona.
Sipas autoriteteve, zjarri u përhap fillimisht nëpër boshtet e ashensorëve dhe më pas arriti në një pjesë nëntokësore të godinës, duke vështirësuar ndjeshëm operacionet e shpëtimit.
Ekipet e zjarrfikësve arritën të evakuojnë dhe të shpëtojnë një numër punëtorësh, por gjatë ndërhyrjes u gjetën edhe disa persona pa shenja jete. Ndërkohë, gjashtë punëtorë vazhdojnë të rezultojnë të zhdukur.
Shkaqet e zjarrit nuk janë bërë ende të ditura dhe autoritetet kanë nisur një hetim për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Sipas medias lokale Bruzz, e cila citon brigadën e zjarrfikësve të Brukselit, një vatër fillestare e zjarrit në katet e poshtme u vu nën kontroll në një kohë relativisht të shkurtër.
Megjithatë, flakët u përhapën përmes boshteve të ashensorëve, duke shkaktuar një zjarr të dytë në pjesën nëntokësore të ndërtesës, çka e bëri edhe më të vështirë ndërhyrjen e ekipeve të emergjencës.






















