Autoritetet italiane po hetojnë një fushatë të sofistikuar spiunazhi kibernetik që ka pasur në shënjestër politikanë, gazetarë dhe drejtues të kompanive strategjike, përmes aplikacionit të koduar të komunikimit Signal. Sipas të përditshmes La Repubblica, operacioni dyshohet se është organizuar nga grupe hakerësh të lidhur me qeverinë ruse.
Ndryshe nga sulmet masive të phishing-ut, kjo fushatë ishte e përqendruar te një numër i kufizuar personash me akses në informacione të ndjeshme. Mes objektivave ishte edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, një nga zërat më kritikë ndaj Kremlinit.
Sulmi nuk synonte thyerjen e sistemit të enkriptimit të Signal. Viktimat merrnin mesazhe që dukeshin sikur vinin nga shërbimi i sigurisë i aplikacionit dhe, pasi ndiqnin udhëzimet për të ndarë një kod ose për të autorizuar një pajisje tjetër, pa e kuptuar u jepnin sulmuesve akses në llogarinë dhe bisedat e tyre.
Sipas autoriteteve italiane, shqetësimi kryesor nuk është vetëm metoda e përdorur, por përzgjedhja tepër e saktë e objektivave, çka sugjeron një punë paraprake të inteligjencës për të identifikuar persona me rol kyç dhe informacion të ndjeshëm.






















