Ushtria iraniane pretendon se ka rrëzuar një dron amerikan mbi qytetin jugor të Bandar Abbasit, në një tjetër episod të përshkallëzimit të tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Mehr, e cila citon një deklaratë të ushtrisë, njësitë e mbrojtjes ajrore identifikuan, interceptuan dhe shkatërruan një "avion armiqësor të tipit Lucas" mbi rajonin e Bandar Abbasit, pranë zonës së Hajiabadit.
Autoritetet iraniane deklaruan se operacioni u zhvillua ndërsa sistemet e mbrojtjes ajrore ishin të angazhuara për t'iu përgjigjur sulmeve të armikut dhe për të garantuar sigurinë e hapësirës ajrore të vendit.
Pretendimi vjen vetëm pak orë pasi Shtetet e Bashkuara ndërmorën një valë të re sulmesh ndaj objektivave ushtarake dhe infrastrukturës në Iran. Sipas raportimeve, goditjet përfshinë objektiva në provincat Bushehr, Khuzestan dhe Hormozgan, si edhe infrastrukturën hekurudhore që lidh Teheranin me rajonin e Mashhadit.
Nga ana tjetër, Teherani njoftoi se ka ndërmarrë sulme me raketa dhe dronë ndaj objekteve ushtarake amerikane në Bahrein, Kuvajt dhe Katar, duke i cilësuar ato si kundërpërgjigje ndaj operacioneve amerikane.
Irani akuzoi gjithashtu Uashingtonin për shkeljen e memorandumit të mirëkuptimit të arritur më 17 qershor me ndërmjetësimin e Pakistanit, i cili synonte uljen e tensioneve dhe shmangien e një konflikti më të gjerë në rajon.






















