
Shumica e izraelitëve nuk e konsiderojnë kryeministrin Benjamin Netanyahu një figurë të besueshme. Kështu rezulton nga një sondazh i publikuar nga Channel 12.
Sipas të dhënave të sondazhit, 60% e të anketuarve janë shprehur se nuk kanë besim te Netanyahu, ndërsa 38% kanë deklaruar se i besojnë atij. Siç raporton “Times of Israel”, rezultatet tregojnë se disa prej rivalëve të tij politikë gëzojnë një perceptim më pozitiv në opinionin publik.
Ish-shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Gadi Eisenkot, konsiderohet i besueshëm nga 54% e të anketuarve, ndërsa 29% shprehen se nuk kanë besim tek ai.
Nga ana tjetër, ish-kryeministri Naftali Bennett vlerësohet si i pabesueshëm nga 53% e qytetarëve, ndërsa 41% deklarojnë se kanë besim tek ai.
Sondazhi tregon gjithashtu se afro dy të tretat e izraelitëve besojnë se nismat e fundit ligjore të koalicionit qeverisës do të ndikojnë në mënyrën se si do të votojnë në të ardhmen.
Ndër çështjet më të debatueshme mbetet projektligji për përjashtimin e burrave haredi (hebrenj ultra-ortodoksë) nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak, një temë që vijon të shkaktojë përçarje dhe debat të fortë në shoqërinë izraelite.





















