Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një valë të re sulmesh ndaj Iranit, pasi Teherani goditi një anije tregtare që po kalonte në Ngushticën e Hormuzit, duke përshkallëzuar më tej tensionet mes dy vendeve.
Sipas Komandës Qendrore të SHBA-së, operacioni përbën raundin e tretë të sulmeve amerikane gjatë kësaj jave dhe erdhi si përgjigje ndaj sulmit të forcave të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) ndaj anijes me flamur qipriot MV GFS Galaxy.
Nga ana tjetër, IRGC-ja deklaroi se ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit deri në një njoftim të dytë, duke pretenduar se anija kishte fikur sistemet e saj të identifikimit dhe kishte devijuar nga korridori i miratuar i lundrimit, çka sipas autoriteteve iraniane justifikoi ndërhyrjen.
CENTCOM bëri të ditur se sulmi iranian shkaktoi dëme të konsiderueshme në dhomën e motorëve të anijes, duke e bërë të pamundur vazhdimin e lundrimit. Gjithashtu, raportohet se një anëtar civil i ekuipazhit rezulton i zhdukur.
Edhe Operacionet Tregtare Detare të Mbretërisë së Bashkuar konfirmuan se ekuipazhi u detyrua të braktiste anijen dhe u largua me një varkë shpëtimi.
Në deklaratën e saj, CENTCOM akuzoi Iranin se ka shkelur sërish Memorandumin e Mirëkuptimit dhe nuk ka respektuar angazhimet e marra për sigurinë e lundrimit në rajon.
Deklarata u shpërnda edhe nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili reagoi shkurt: "Irani bëri zgjedhjen e gabuar. Tani do të paguajë."






















