Bota 11 July 2026, 18:35 Nga VNA

Pse pistoleta e Erdoganit për liderët e NATO-s nuk ishte një gafë diplomatike, por pjesë e një tradite shekullore

Ndaje në Whatsapp
Pse pistoleta e Erdoganit për liderët e NATO-s nuk ishte një

 

Kur liderët e NATO-s u larguan nga samiti dyditor në Ankara, shumica nuk e dinin se çfarë kishte brenda kutive luksoze prej druri që u kishte dhuruar presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Vetëm pasi disa prej tyre, mes tyre kryeministri britanik Keir Starmer, i hapën kutitë, zbuluan se dhurata ishte një pistoletë e personalizuar Magnum .357, e prodhuar në Turqi, e gdhendur me emrin e secilit lider dhe e shoqëruar me gjashtë fishekë të vërtetë.

Zbulimi shkaktoi habi dhe në disa raste edhe panik. Kryeministri belg Bart De Wever e zbuloi armën vetëm pasi mbërriti në Belgjikë, ndërsa ekipet e sigurisë të delegacioneve u përballën me dilemën se si të transportonin një armë zjarri të vërtetë dhe municionin përkatës. Nga ana tjetër, kryeministri kanadez Mark Carney e mori situatën me humor, duke thënë se shurupi i panjës që ai kishte sjellë si dhuratë “dukej shumë modest” krahas një pistolete të tillë.

Megjithatë, sipas një analize të Euronews, dhurimi i armëve të personalizuara krerëve të shteteve nuk është aspak një risi. Përkundrazi, është një traditë diplomatike dhe tregtare që daton prej më shumë se 170 vitesh.

Në mesin e shekullit XIX, themeluesi i kompanisë amerikane Colt, Samuel Colt, udhëtoi në Europë dhe Perandorinë Osmane duke u dhuruar revolverë të gdhendur me ar sulltanëve dhe monarkëve evropianë. Sulltanit osman Abdylmexhid I ai i dhuroi një revolver të personalizuar dhe, pasi i përmendi se Rusia kishte nisur të blinte armët Colt, sulltani porositi 5.000 copë. Pak muaj më parë, Colt kishte përdorur të njëjtën strategji edhe me carin rus Nikolla I, duke i dhuruar një revolver ceremonial për të nxitur shitjet.

Edhe rivali i tij, Oliver Winchester, përdori të njëjtën metodë, duke i dhuruar presidentit amerikan Abraham Lincoln një pushkë të gdhendur me ar, me shpresën se administrata amerikane do të zgjidhte armët e kompanisë së tij gjatë Luftës Civile. Më pas, armë të personalizuara iu dhuruan presidentëve amerikanë Ulysses Grant, Grover Cleveland, John F. Kennedy, Harry Truman dhe Theodore Roosevelt.

Tradita vazhdoi edhe gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitin 1959, lideri sovjetik Nikita Hrushov i dhuroi presidentit amerikan Dwight Eisenhower dhe sekretarit amerikan të Mbrojtjes dy armë gjahu të punuara me dorë. Ndërsa në vitin 2019, kryeministri çek Andrej Babiš i dhuroi Donald Trump një pistoletë CZ 75 të veshur me ar dhe të personalizuar me vitin e lindjes së presidentit amerikan.

Pistoleta që Erdogan u dhuroi liderëve të NATO-s kishte edhe një mesazh ekonomik. Çdo armë ishte prodhuar nga industria turke e armëve, mbante të gdhendur emrin e marrësit, flamurin turk dhe logon e NATO-s. Sipas mediave turke, dhurata shoqërohej edhe me një kopje të firmosur të biografisë së Erdoganit në gjuhën angleze, një letër personale dhe një stilolaps.

Analistët e shohin këtë jo vetëm si një gjest diplomatik, por edhe si një promovim të industrisë turke të armëve, në një kohë kur Turqia është bërë një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë të armëve të lehta.

Megjithatë, jo të gjithë liderët do ta mbajnë dhuratën. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se pistoleta do të çaktivizohet dhe do t’i dhurohet një muzeu ushtarak. Luksemburgu ka njoftuar se arma do të ruhet si dhuratë shtetërore, por fillimisht do të bëhet e papërdorshme, ndërsa autoritetet italiane kanë konfirmuar se pistoleta e marrë nga kryeministrja Giorgia Meloni është dorëzuar menjëherë tek personeli i autorizuar për armët dhe do të ruhet sipas procedurave zyrtare për dhuratat diplomatike.

Video

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët po marshojnë në rrugët kryesore të Tiranës.

Qytetarët po marshojnë në drejtim të Kryeministrisë për të mbajtur protestën e 42-të rradhazi

Rrugës pastaj u takua dhe me korrupsionin…

Kemi mbjellë 5 milion pemë. Pa llogaritur ato të Erionit

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme