Turqia mund të jetë pranë një marrëveshjeje me Shtetet e Bashkuara që do t’i hapte rrugën rikthimit të Ankarasë në programin e avionëve luftarakë F-35, përmes largimit të sistemit rus të mbrojtjes ajrore S-400.
Sipas gazetës turke Hurriyet, Ankaraja mund të njoftojë së shpejti një marrëveshje për transferimin e sistemit rus te një shtet i Gjirit. Ky hap shihet si një përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Uashingtonin, e cila nisi pas blerjes së S-400 nga Turqia në vitin 2019.
Vendimi për blerjen e sistemit rus çoi në përjashtimin e Turqisë nga programi amerikan F-35 dhe në vendosjen e sanksioneve nga SHBA në vitin 2020. Uashingtoni argumentoi se përdorimi i S-400 mund të rrezikonte teknologjinë e avancuar të avionëve luftarakë amerikanë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar gatishmëri për të hequr sanksionet dhe për të shqyrtuar rikthimin e Turqisë në programin F-35 pas takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan. Megjithatë, ligji amerikan aktualisht pengon shitjen e këtyre avionëve për sa kohë që Ankaraja zotëron sistemin rus.
Sipas Reuters, transferimi i S-400 në një vend të tretë konsiderohet si zgjidhja më e mundshme për tejkalimin e bllokimit diplomatik mes dy vendeve.
Ndërkohë, Kremlini ka konfirmuar se është në kontakt me autoritetet turke për këtë çështje. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e cilësoi situatën si një çështje “jashtëzakonisht të ndjeshme”, duke theksuar se dialogu mes Moskës dhe Ankarasë do të vazhdojë.






















