
Shqipëria pritet të nisë angazhimin e saj në misionin ndërkombëtar stabilizues në Gaza përmes dërgimit të oficerëve të shtabit. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, në një intervistë për Euronews Albania.
Ministri deklaroi se, pas përfundimit të misionit të rikonjicionit dhe analizimit të raportit të përgatitur nga oficerët shqiptarë, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka përcaktuar nivelin fillestar të përfshirjes së Shqipërisë në këtë operacion ndërkombëtar.
Sipas Nufit, faza e parë do të përfshijë dërgimin e oficerëve të shtabit, të cilët do të integrohen në strukturat komanduese të forcës ndërkombëtare në Gaza. Ndërkohë, një vendim për angazhimin e trupave të tjera do të merret më vonë, në varësi të situatës në terren dhe vlerësimeve operative.
“Do të dërgojmë oficerë shtabi që të bëhen pjesë e forcës ndërkombëtare stabilizuese në Gaza. Pas vlerësimit të situatës dhe nevojave në terren, do të vijojmë me fazën e dytë për të përcaktuar konkretisht trupat që mund të angazhohen në mision”, deklaroi ministri i Mbrojtjes.
Nufi bëri të ditur se vendimi për këtë angazhim do t’i paraqitet për miratim Këshillit të Ministrave përmes akteve përkatëse ligjore.
Sipas tij, pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë mision është në përputhje me qëndrimin e shprehur më herët nga qeveria shqiptare për mbështetjen e nismave ndërkombëtare që synojnë paqen dhe stabilitetin.
Ministri theksoi se numri i oficerëve që do të dërgohen fillimisht, si dhe hapat e mëtejshëm të angazhimit shqiptar, do të bëhen publikë pas miratimit të vendimit nga Këshilli i Ministrave.






















