Një 26-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për vrasjen e ish-ministres konservatore britanike dhe ish-deputetes Ann Widdecombe, bëri të ditur policia britanike.
Sipas Policisë së Devon dhe Cornwall, 78-vjeçarja u gjet të enjten në banesën e saj me plagë të rënda. I dyshuari, një shtetas britanik i bardhë, ndodhet në paraburgim, ndërsa hetimet janë në vijim. Autoritetet theksojnë se ngjarja nuk po trajtohet si akt terrorist dhe se deri tani nuk ka asnjë informacion që të sugjerojë se sulmi kishte motive politike.
Widdecombe shërbeu për 23 vjet si deputete e Partisë Konservatore për zonën e Maidstone në Kent, ndërsa vitet e fundit ishte zëdhënëse e partisë Reform UK.
Menaxhmenti i saj deklaroi se 24 orët e fundit kanë qenë “jashtëzakonisht traumatike dhe të dhimbshme”, ndërsa më herët kishte njoftuar vetëm vdekjen e saj, pa dhënë detaje mbi rrethanat.
Kryeministri britanik Keir Starmer e cilësoi hetimin për vrasje si “një lajm tronditës”, duke shtuar se i dyshuari është “qartësisht i rrezikshëm”. Ndërsa liderja e Konservatorëve Kemi Badenoch u shpreh se ishte “e tronditur” nga ajo që e quajti një incident “të tmerrshëm”.






















