Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei ka lëshuar një mesazh të ashpër kundër SHBA-së dhe Izraelit, duke u zotuar se vendi do të hakmerret për vrasjen e babait të tij, Ali Khamenei.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia iraniane e lajmeve Fars, Mojtaba Khamenei u shpreh se hakmarrja është një kërkesë e popullit iranian dhe se ajo do të realizohet.
“Hakmarrja është kërkesë e kombit tonë dhe duhet patjetër të realizohet”, thuhet në deklaratë.
Duke iu drejtuar babait të ndjerë, ai premtoi se Irani do të përgjigjet për gjakun e tij dhe të të gjithë atyre që humbën jetën në dy konfliktet e fundit.
“Zotohemi se do të hakmerremi për gjakun tuaj të pastër dhe për gjakun e të gjithë martirëve të këtyre dy luftërave, ndaj kriminelëve dhe vrasësve të turpëruar”, vijon deklarata.
Mesazhi vjen në një periudhë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ndërsa autoritetet iraniane vazhdojnë të akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin për përgjegjësi në vrasjen e Ali Khameneit.






















