Hetimet për atentatin me bombë ndaj gazetarit investigativ italian Sigfrido Ranucci, drejtues i emisionit Report në RAI, kanë marrë një kthesë të fortë. Në muajt e parë pas sulmit, për shkak të investigimeve të shumta të emisionit mbi krimin e organizuar, mes pistave të përfolura ishte edhe ajo e mafias shqiptare. Megjithatë, vetë Ranucci deklaroi se nuk kishte asnjë element që ta lidhte atentatin me grupet kriminale shqiptare.
Sot, në qendër të hetimeve ndodhet Valter Lavitola, ish-botues, ish-drejtor i gazetës Avanti! dhe mik i vjetër i Ranuccit, i cili po hetohet nga Prokuroria e Romës si i dyshuar për përfshirje në organizimin e sulmit. Lavitola mohon çdo akuzë dhe thotë se do të ndihej i fyer nëse Ranucci do të besonte se ai kishte lidhje me atentatin. “Nëse do të dyshonte vërtet tek unë, do t’i pështyja në fytyrë”, deklaroi ai në një intervistë për La Repubblica.
Në të njëjtën intervistë, Lavitola zbulon se kishte promovuar idenë që Ranucci të hynte në politikë si kandidat i së majtës italiane. Sipas tij, kishte porositur edhe një sondazh për të testuar popullaritetin e gazetarit dhe vetë Ranucci kishte parë pyetësorin, duke bërë disa korrigjime në formulimin e pyetjeve. “Më tha se isha çmendur dhe nuk donte të hynte në politikë”, rrëfen Lavitola.
Ai shprehet gjithashtu se shpreson që Ranucci të largohet nga televizioni publik RAI. “E shpresoj. Jashtë RAI-t do të fitonte shumë para”, tha ai, duke argumentuar se gazetari është tepër i lidhur me emisionin Report.
Ndërkohë, hetuesit kanë kontrolluar banesën e Lavitolës teksa ai ishte gati të nisej për në Afrikë, duke sekuestruar tre telefona celularë, dy USB dhe shtatë faqe me shënime të shkruara me dorë. Materialet po analizohen për të zbardhur motivin e atentatit dhe për të verifikuar nëse, përveç Lavitolës, ka persona të tjerë të përfshirë.
Çështja ka marrë një kthesë të papritur: nga dyshimet fillestare për një hakmarrje të krimit të organizuar ndaj gazetarit që prej vitesh publikon investigime të bujshme, hetimet janë përqendruar te një njeri që vetë Lavitola e përshkruan si “mikun tim më të mirë”. Megjithatë, hetimet vijojnë dhe deri në një vendim gjykate, përgjegjësitë penale mbeten për t’u provuar.






















