Irani ka nisur gjatë orëve të para të së dielës një valë sulmesh hakmarrëse me raketa balistike dhe dronë ndaj objektivave ushtarake amerikane në disa vende të Lindjes së Mesme, pas një serie sulmesh të reja të kryera nga Shtetet e Bashkuara ndaj instalimeve ushtarake iraniane.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike deklaroi se ka goditur disa pika të lidhura me ushtrinë amerikane, përfshirë bazën ajrore Prince Hassan në Jordani, bazën Al Udeid në Katar, si dhe objektiva ushtarake në Kuvajt dhe qendra logjistike në Portin e Duqmit në Oman.
IRGC-ja pretendoi gjithashtu se ka goditur një sistem të mbrojtjes ajrore Patriot në Kuvajt, ndërsa deri tani nuk ka pasur konfirmim të pavarur për këto pretendime.
Në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë interceptuar raketa dhe dronë iranianë. Autoritetet sqaruan se shpërthimet e dëgjuara në disa zona ishin pasojë e operacioneve të mbrojtjes ajrore.
Edhe Katari deklaroi se forcat e tij të armatosura arritën të neutralizonin një sulm raketor ndaj territorit të vendit. Ministria e Brendshme bëri të ditur se tre persona, mes tyre një fëmijë, u plagosën nga mbetjet e raketave të rrëzuara gjatë interceptimit. Sipas autoriteteve, situata është normalizuar dhe niveli i kërcënimit është ulur.
Në Jordani, një burim zyrtar i Forcave të Armatosura, i cituar nga agjencia shtetërore Petra, deklaroi se tri raketa iraniane ranë në territorin jordanez, pa shkaktuar viktima. Dëmet, sipas autoriteteve, ishin të kufizuara.
Ndërkohë, Kuvajti njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore ndërhynë ndaj objektivave të konsideruara kërcënuese në hapësirën ajrore të vendit. Autoritetet theksuan se shpërthimet e raportuara ishin rezultat i operacioneve të interceptimit.
Në Bahrein, Ministria e Brendshme aktivizoi sirenat e alarmit ajror dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe banorëve të drejtohen në zonat e sigurta.
Përshkallëzimi i fundit vjen pas një raundi të ri sulmesh amerikane ndaj objektivave iraniane të lidhura me radarët, sistemet raketore dhe dronët në jug të Iranit. Sipas Komandës Qendrore Amerikane, veprimet ushtarake amerikane pasuan incidente në Ngushticën e Hormuzit, ku forcat iraniane akuzohen se kanë hapur zjarr ndaj anijeve tregtare.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të rriten, ndërsa frika për një zgjerim të konfliktit në gjithë rajonin e Lindjes së Mesme mbetet e lartë.






















