Disa gazetarë të The New York Times janë thirrur të dëshmojnë para një jurie të madhe federale, në kuadër të një hetimi për rrjedhjen e informacionit të klasifikuar pas publikimit të artikujve mbi sigurinë e avionit të ri presidencial Air Force One, të përdorur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas gazetës, agjentë federalë u kanë dorëzuar fletëthirrje gazetarëve në banesat e tyre, duke kërkuar paraqitjen e tyre për të dëshmuar në hetimin që synon të zbulojë burimin e informacionit të publikuar.
Artikujt e The New York Times pretendonin se avioni Boeing 747-8, i dhuruar nga Katari për përdorim si Air Force One, nuk i plotësonte të gjitha standardet e kërkuara të sigurisë. Sipas raportimeve, Shërbimi Sekret i kishte rekomanduar presidentit Trump të kthehej nga samiti i NATO-s në Turqi me avionin e vjetër presidencial.
Departamenti amerikan i Drejtësisë konfirmoi se po heton rrjedhjen e paligjshme të informacionit, duke theksuar se objektivi i hetimit nuk janë gazetarët.
“Gazetarët nuk janë objektivat, por ata që rrjedhin informacione të klasifikuara janë”, deklaroi Departamenti i Drejtësisë.
Institucioni shtoi se respekton rolin e medias në një shoqëri demokratike, por nënvizoi se personat që kanë akses në sekrete shtetërore kanë detyrimin ligjor të mos shpërndajnë informacione të klasifikuara.
Në raportimin e publikuar më herët këtë javë, The New York Times shkroi se Trump udhëtoi drejt samitit të NATO-s në Turqi me avionin e ri presidencial, por u kthye në SHBA me avionin e vjetër pas këshillës së Shërbimit Sekret.
Një ditë më pas, gazeta publikoi një tjetër artikull ku citohej se zyrtarët e sigurisë kishin ngritur shqetësime për mungesën e disa sistemeve të avancuara mbrojtëse në avion, përfshirë aftësitë kundër raketave.
Muajin e kaluar, Trump prezantoi zyrtarisht Boeing 747-8 të dhuruar nga qeveria e Katarit, të cilin e cilësoi si një dhuratë “të pakushtëzuar” për Shtetet e Bashkuara. Sipas Forcave Ajrore amerikane, avioni është përshtatur për transportin presidencial dhe është pajisur me sisteme të avancuara sigurie, komunikimi dhe mbështetjeje logjistike.






















