Një person ka humbur jetën, ndërsa tre të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi një varkë me ponton u përmbys në ujërat pranë ishullit Alcatraz, në Gjirin e San Franciskos.
Sipas autoriteteve lokale, incidenti u raportua rreth orës 15:37 me kohën lokale, kur Departamenti i Zjarrfikësve të San Franciskos mori njoftimin për një anije në vështirësi. Një ekip shpëtimi që mbërriti në vendngjarje gjeti një person në ujë në gjendje kritike.
Shefi i zjarrfikësve Dean Crispen bëri me dije se në varkë ndodheshin rreth 20 persona, kryesisht pjesëtarë të së njëjtës familje, të cilët po merrnin pjesë në një ceremoni përkujtimore.
Tre persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan në spital, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 13 pasagjerë u shpëtuan pa dëmtime.
Operacioni i kërkim-shpëtimit vijoi gjatë mbrëmjes nga ekipet e Departamentit të Zjarrfikësve të San Franciskos dhe Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara, për gjetjen e tre personave të zhdukur.
Fillimisht, autoritetet kishin raportuar për një anije në flakë, por pas mbërritjes në vendngjarje nuk u gjetën shenja zjarri. Dëshmitarët thanë se deti ishte i trazuar dhe se varka kishte nisur të mbushej me ujë përpara se të përmbysej.
Justin Marceline, një punonjës i zonës bregdetare që ndihmoi në shpëtimin e disa personave së bashku me peshkatarin Mike Montoya, e përshkroi skenën si “kaos të plotë”.
“Sa herë që kapnim një person, ai ishte ose i rraskapitur ose i frikësuar dhe lëvizte me shpejtësi”, tha Marceline për agjencinë Reuters.






















