Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu që të nisë tërheqjen e trupave izraelite nga Siria jugore dhe Libani, gjatë një telefonate të zhvilluar javën e kaluar.
Sipas raportimeve të Channel 12 dhe Axios, duke cituar zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, Trump ka paralajmëruar se prania ushtarake e Izraelit në territoret siriane mund të rrisë tensionet dhe të çojë në një përshkallëzim të ri në rajon.
Gjatë bisedës, presidenti amerikan mësohet t’i ketë thënë Netanyahut se prania izraelite nuk është e mirëpritur nga banorët lokalë dhe se Izraeli duhet të rishikojë pozicionimin e forcave të tij. Një kërkesë e ngjashme është bërë edhe për Libanin.
Sipas raportimeve, Netanyahu ka kundërshtuar duke theksuar nevojat e sigurisë së Izraelit dhe domosdoshmërinë e krijimit të zonave mbrojtëse përgjatë kufijve të vendit.
Administrata amerikane prej muajsh ka kërkuar një marrëveshje sigurie mes Izraelit dhe Sirisë, por sipas burimeve të cituara, Uashingtoni ka arritur në përfundimin se qeveria izraelite nuk ka qenë e gatshme të plotësojë disa nga kushtet, përfshirë tërheqjen e trupave nga Siria.
Ndërkohë, në Libanin jugor vijojnë negociatat mes Izraelit dhe Bejrutit, të ndërmjetësuara nga SHBA-të, për zbatimin e zonave të sigurisë dhe rikthimin e kontrollit të zonës nga ushtria libaneze.
Izraeli ka pranuar më herët të tërhiqet nga disa zona të përcaktuara në Libanin jugor, por procesi është vonuar, ndërsa palët vijojnë diskutimet për zbatimin e marrëveshjeve.
Tensionet në kufirin Izrael-Liban mbeten të larta për shkak të përplasjeve me Hezbollahun, i cili mbështetet nga Irani. Izraeli këmbëngul se prania ushtarake në jug të Libanit është e nevojshme për të parandaluar sulmet me raketa dhe dronë ndaj komuniteteve të tij veriore.
Ndërkohë, SHBA-të vijojnë përpjekjet diplomatike për të arritur një marrëveshje që do të përfshinte ndalimin e konfliktit, çarmatimin e grupeve të armatosura dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga zonat kufitare.






















