Tensionet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara vijojnë të rriten, ndërsa Teherani ka kërcënuar se mund të bllokojë rrugë të tjera të rëndësishme tregtare në rajon, në përgjigje të sulmeve të reja amerikane ndaj objektivave ushtarake.
Garda Revolucionare e Iranit deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në ndalimin e asaj që e cilësoi si “agresion amerikan”. Gjithashtu, Teherani paralajmëroi se mund të preken edhe rrugë të tjera eksporti për naftën dhe gazin në rajon, pa dhënë detaje konkrete.
Kërcënimi iranian erdhi pasi Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane njoftoi se kishte kryer sulme me dronë ndaj objektivave në Iran, pas një operacioni ushtarak që zgjati rreth shtatë orë gjatë natës.
Presidenti amerikan Donald Trump ndërkohë ka paralajmëruar se SHBA-të mund të godasin infrastrukturën energjetike të Iranit nëse Teherani nuk rikthehet në negociata.
“Do t’i ruajmë objektivat energjetike për në fund, por në fund do t’i godasim”, deklaroi Trump në një intervistë televizive, duke iu referuar termocentraleve dhe urave strategjike të Iranit.
Përshkallëzimi i fundit vjen pasi Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë të re ndaj porteve iraniane, duke kufizuar lëvizjen e anijeve drejt dhe nga zonat bregdetare të vendit.
Në reagim, Garda Revolucionare iraniane paralajmëroi se mund të mbyllen edhe rrugë të tjera të eksportit të energjisë që, sipas saj, “u shërbejnë interesave të SHBA-së dhe aleatëve të saj”.
Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se ushtria e Iranit kishte kryer sulme ndaj objektivave amerikane në Jordani, Kuvajt dhe Bahrein. Nga ana tjetër, aleatët e Uashingtonit deklaruan se kishin interceptuar dronë dhe raketa të lëshuara nga Irani.
Situata në rajon mbetet e tensionuar, ndërsa Ngushtica e Hormuzit vazhdon të jetë një nga pikat më kritike për sigurinë energjetike globale.






















