Një banderolë gjigante kundër presidentit amerikan Donald Trump është vendosur në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit iranian, Teheran, duke rritur tensionet mes dy vendeve.
Banderola, e vendosur në Sheshin e Revolucionit, paraqet në mënyrë simbolike Trumpin të shtrirë brenda një arkivoli të zi. Sipas mediave të huaja, në dizajn janë përdorur edhe barriera betoni me ngjyrë të zezë, të cilat ishin pjesë e ceremonisë së mbajtur në Xhaminë Imam Khomeini Musalla për ish-udhëheqësin iranian Ali Khamenei.
Mbi këto struktura shfaqen mbishkrime kundër presidentit amerikan, mes tyre edhe slogane kërcënuese si “Vdekje Trumpit” dhe “Ne do ta vrasim Trumpin”.
Vendosja e banderolës vjen në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump deklaroi për televizionin amerikan Fox News se Shtetet e Bashkuara mund të zgjerojnë sulmet ndaj Iranit nëse Teherani nuk pranon të rikthehet në tryezën e negociatave.
“Java tjetër do të jetë shumë e keqe për ta, sepse do të goditen termocentralet dhe urat”, deklaroi Trump, duke paralajmëruar sulme ndaj infrastrukturës strategjike iraniane.
Deklaratat e tij u bënë ndërsa forcat amerikane vijuan operacionet ushtarake kundër Iranit dhe ndërkohë që situata në rajon mbetet e tensionuar, veçanërisht për shkak të zhvillimeve rreth Ngushticës së Hormuzit, një pikë kyçe për transportin global të energjisë.
I pyetur se sa gjatë do të vazhdojnë sulmet amerikane, Trump u përgjigj se ato do të zgjasin “derisa të vendosë se është mjaftueshëm”.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të jenë në nivel të lartë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po monitoron me shqetësim zhvillimet e fundit.






















