
Drejtoria e Tensionit të Lartë pranë OSSH ka shpallur fituesin e një tenderi me vlerë miliona euro në mungesë të plotë të konkurrencës. Procedura e prokurimit, e finalizuar me vetëm një ofertues, i ka kaluar kompanisë “LA-OR”, e cila kontrollohet nga biznesmeni Laert Duro. Ky zhvillim ngre sërish pikëpyetje mbi transparencën dhe mënyrën se si menaxhohen fondet publike në sektorin e energjetikës.
Tenderi në fjalë, i shpallur më 5 qershor nga institucioni i drejtuar nga Olsi Ngjela, ka si objekt fuqizimin dhe rikonstruksionin e Nënstacionit elektrik 110/20/6kV “Shkodra-1”. Me një fond limit të konsiderueshëm prej 479.6 milionë lekësh, ose rreth 5.12 milionë euro, kontrata parashikon një afat ekzekutimi prej 18 muajsh nga momenti i nënshkrimit. Sipas kushteve të përcaktuara në dokumente, fituesi do ta realizojë projektin sipas formulës “çelësa në dorë”, që nënkupton nga projektimi e deri te dorëzim final.

Ajo që spikat më shumë në këtë procedurë është pikërisht mungesa e garës. Kompania “LA-OR” ka qenë e vetmja pjesëmarrëse në këtë prokurim, duke paraqitur një ofertë prej 97.7% të fondit limit. Në vend që të kërkohej një garë reale për një tender që është dukshëm mbi kufirin e lartë monetar, Drejtoria e Tensionit të Lartë i ka rënë shkurt procedurave duke shpallur menjëherë fitues biznesmenin Laert Duro.

Sipas standardeve të prokurimit publik, rastet kur ofertat u afrohen kaq shumë tavanit të buxhetit të vënë në dispozicion, dhe aq më tepër kur jepen në mungesë totale të garës ngrenë dyshime për tendera të paracaktuar.
Kompania e Laert Duros nuk është një emër i panjohur në dyert e institucioneve shtetërore. Ky tender i radhës konfirmon faktin se biznesmeni vijon të mbetet një ndër klientët më të preferuar të institucioneve që operojnë nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Në mënyrë të vazhdueshme, kompania e Duros ka arritur të sigurojë kontrata të shumta publike pikërisht në këtë sektor. Ajo rezulton si një ndër përfitueset më të mëdha të fondeve buxhetore në fushën e saj, duke pësuar një rritje të ndjeshme të xhiros dhe kapitalit, kryesisht përmes procedurave ku konkurrenca shpesh ka qenë vetëm formale ose, si në rastin e fundit, krejtësisht inekzistente.






















