
Kuvendi i Shqipërisë pritet të kalojë me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në ligjin për turizmin, me propozim të shumicës socialiste. Synimi kryesor i këtyre ndërhyrjeve ligjore është mbrojtja e pushuesve nga zhurmat e kantierëve të ndërtimit që mbinë pranë zonave hoteliere në mes të verës.
Gjatë seancës së sotme plenare, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u shpreh se zhurmat e ndërtimeve po u prishin qetësinë turistëve dhe po dëmtojnë imazhin e vendit.
Sipas Ballës, ky është një shqetësim i përsëritur i ngritur nga shumë deputetë të zonave bregdetare e turistike.
"Është shqetësim i shumë deputetëve në zonat turistike, ku pranë hoteleve vijojnë ndërtimet edhe gjatë sezonit duke shqetësuar turistët që kanë ardhur për të pushuar. Kemi propozuar që në projektligjin për turizmin, të pezullohen punimet ndërtimore gjatë sezonit turistik, duke garantuar një cilësi më të lartë të sezonit dhe ofertës sonë turistike," deklaroi Balla nga foltorja e Kuvendit.
Ndryshimet e tjera kryesore në ligj
Përveç "heshtjes së betonierave" gjatë muajve të verës, ndryshimet e propozuara prekin edhe disa pika të tjera jetike për cilësinë e turizmit në vend:
Jo më "pallate që gdhihen hotele": Ligji i ri do të ndalojë praktikën ku një strukturë nis të ndërtohet si pallat banimi dhe rrugës transformohet në hotel pa standardet e duhura.
Yjet nuk vendosen më vetë: Klasifikimi i hoteleve me yje do të bëhet me kritere të rrepta vlerësimi dhe jo më me "vetëshpallje" nga pronarët. Balla mori si shembull vendet fqinje: "Mjafton t'i hedhim sy Greqisë dhe Kroacisë. Yjet s'mund të jenë më vetëshpallje, por vlerësim."
Menaxhimi i mbetjeve: Ligji synon t'u japë fund skandaleve me mbeturinat, duke përmendur bashkinë e Kavajës si një rast negativ që nuk duhet të përsëritet më. "Nuk mund të shkojë hoteli në Kavajë të hedhë mbetjet në Lalëz," u shpreh kreu i grupit të PS.
Pikërisht për shkak të urgjencës për të garantuar mbarëvajtjen e sezonit të ardhshëm, mazhoranca ka kërkuar që ky draft ligjor të miratohet me procedurë të përshpejtuar parlamentare.






















