Sociale 17 July 2026, 10:47 Nga VNA

Rikthehet rënia e Euros, prek rekord të ri historik pranë 93.6 lekëve

Ndaje në Whatsapp
Rikthehet rënia e Euros, prek rekord të ri historik pranë 93.6

Kursi i këmbimit të Euros me Lekun po e thellon tendencën graduale në rënie. Sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye sot me 93.64 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.

Që nga fillimi i vitit, kursi i Euros ndaj Lekut ka rënë me 3.2%, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 4.2%.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, rënia e kursit gjatë sezonit veror lidhet kryesisht me tendencën e zakonshme sezonale. Në këtë periudhë, oferta valutore rritet, për shkak të shtimit të numrit të turistëve nga jashtë.

Në përgjithësi, prej vitesh tregu valutor po karakterizohet nga një ofertë e lartë valutore.

Sipas shifrave zyrtare dhe analizave të Bankës së Shqipërisë, kjo rritje i detyrohet  përmirësimit të Bilancit të Pagesave, falë rritjes së flukseve valutore nga turizmi dhe niveleve të larta të investimeve të huaja direkte. Megjithatë, në treg vazhdon të jetë i lartë perceptimi edhe për një ndikim të fortë të prurjeve të valutës nga aktivitete të jashtëligjshme.

Paralelisht, vlerësohet se një rol në forcimin e Lekut po luan edhe politika fiskale e qeverisë. Prej vitesh, balanca buxhetore është në suficit të zgjeruar në pjesën më të madhe të vitit, ndërsa zakonisht i gjithë deficiti i planifikuar shpenzohet në muajin dhjetor. Kjo politikë fiskale e ndjekur nga qeveria ul ofertën e Lekut në treg dhe ndikon në forcimin e mëtejshëm të monedhës vendase.

Banka e Shqipërisë është përpjekur ta ngadalësojë rënien e Euros, duke kryer blerje të mëdha të valutës. Për periudhën 2024-2025, Banka Qendrore ka blerë më shumë se dy miliardë euro në tregun e brendshëm. Blerjet kanë vijuar edhe në pjesën e parë të këtij viti, por shifrat nuk janë bërë ende publike.

Këtë vit, Banka e Shqipërisë parashikon të rrisë më tej blerjet e planifikuara të valutës në tregun e brendshëm. Ajo synon të blejë përmes ankandeve 330 – 450 milionë euro, me objektiv rritjen e rezervës valutore. Objektivi i blerjeve është rritur ndjeshëm krahasuar me projeksionet në intervalin 270-350 milionë euro të parashikuar për vitin 2025.

Megjithatë, shifrat e blerjeve do të jenë me siguri më të larta, duke përfshirë blerjet direkte për të frenuar forcimin e Lekut.

Rritja e inflacionit sipër objektivit prej 3% sidoqoftë e bën sfiduese vazhdimin blerjeve në shifra të mëdha nga Banka Qendrore. Në këto kushte, blerjet e valutës nuk justifikohen më me objektivin e stabilitetit të çmimeve, ndërsa frenimi i rënies së Euros do të ketë koston e një inflacioni më të lartë në ekonomi.

Forcimi i Lekut vlerësohet se ka frenuar pjesërisht presionet inflacioniste mbi ekonominë shqiptare, duke i bërë më të lira mallrat dhe shërbimet e importuara nga jashtë.

Por, nga ana tjetër, Leku i fortë ka goditur sektorët eksportues të ekonomisë. Në veçanti, aktivitetet e fasonerisë janë goditur rëndë dhe kanë humbur konkurrueshmërinë e lidhur me koston e ulët të krahut të punës. Por, nga ana tjetër, zhvlerësimi i Euros po dëmton edhe konkurrueshmërinë e sektorit të turizmit, sektor i rritur edhe falë perceptimit si një alternativë me kosto të ulët.

 

Video

Kjo është tavolina ku ishin ulur Armand Tomorrica dhe Renaldo Mançja në momentin kur ndodhën të shtënat në lokalin në lagjen “Vullnetari” në Elbasan. Në tavolinë ndodhej edhe kamarieri i lokalit, Bjorgi Hoxha, i cili mbeti gjithashtu i plagosur nga plumbat. Në momentin e sulmit, brenda lokalit ndodhej edhe një efektiv Policie jashtë shërbimit, i cili sapo dëgjoi të shtënat doli menjëherë dhe u vu në ndjekje të autorit. Gjatë arratisjes, autori hodhi armën e zjarrit, por arriti të largohej në thellësi të lagjes. Policia ka rrethuar zonën dhe vijon kontrollet intensive për kapjen e tij.

Një avion i vogël është përplasur me çatinë e një banese në zonën e Hjustonit, në shtetin amerikan të Teksasit, teksa po përpiqej të ulej pranë një piste private. Si pasojë e aksidentit, piloti është transportuar në një spital lokal, ku po merr trajtim mjekësor për lëndime të rënda. Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur nëse në momentin e përplasjes ndodheshin persona brenda banesës apo nëse ka të lënduar të tjerë.

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Elbasan. Sipas informacioneve paraprake, një person ka mbetur i plagosur. Lajmi në përditësim

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Elbasan. Ngjarja ka ndodhur në një lokal në lagjen "Banesa". Si pasojë e të shtënave mësohet se ka mbetur i plagosur kamarieri i lokalit dhe 2 persona të tjerë. Të tre të plagosurit ndodhen në spital nën kujdesin e bluzave të bardha. Forca të shumta të policisë dhe grupi hetimor ndodhen tashmë në vendngjarje.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme