
Bashkia e Vlorës i ka dhënë të dyja lotet e tenderit për rikualifikimin urban të Bllokut të Orizit të njëjtës kompani, duke skualifikuar të gjitha ofertat më të ulëta ekonomike. Procedura e shpallur në qershor ka një vlerë totale prej 3.5 miliardë lekësh të vjetra, ose rreth 3.5 milionë euro dhe ka për objekt ndërhyrjen në rrjetin elektrik e ndriçimin publik dhe fasadat në bllokun e banesave midis rrugëve “Fatos Arapi” , “Hasan Kushta”, “Ismail Qemali”, “Misto Mele”.

Në lotin e parë, me fond limit 208 milionë lekë të reja, morën pjesë 7 kompani. Bashkia skualifikoi 6 prej tyre dhe shpalli fituese kompaninë “Zdrava”, e cila kishte ofertën më të lartë në garë, prej 200 milionë lekësh të reja, ose sa 96.3% të fondit limit. Jashtë garës mbetën oferta dukshëm më të ulëta, si ajo e bashkimit të operatorëve “ISEC - ERGI - ALGES KONSTRUKSION” që kërkoi 80 milionë lekë të reja më pak, apo e subjektit “Cara” me 73 milionë lekë më pak se fituesi.


Të njëjtën skemë Bashkia e Vlorës e ndoqi edhe në lotin e dytë, me fond limit 142 milionë lekë të reja. Nga 6 kompani pjesëmarrëse, 5 u skualifikuan, duke i hapur rrugën përsëri kompanisë “Zdrava”, e cila fitoi me ofertën 113 milionë lekë të reja. Edhe në këtë rast u skualifikuan oferta më të ulëta, si ajo e operatorëve “NDREGJONI – UDHA”, që kishte ofruar 100 milionë lekë të reja, ose 13.3 milionë lekë më pak se fituesi.


Skualifikimi i të gjitha ofertave më të favorshme dhe dhënia e të dyja kontratave te i njëjti operator ekonomik, tregojnë besueshmërinë dhe "dashurinë" e pashpjegueshme që institucioni i drejtuar nga Brunilda Mersini ka ndaj kësaj kompanie. Megjithatë mbetet e paqartë, kur në fund të dyja procedurat i merr e njëjta kompani me çmimin më të shtrenjtë, për çfarë shërbeu ndarja e tenderit në dy lote?
Kompania fituese “Zdrava” është në pronësi të Faik, Dashnor e Kastriot Sinanaj, si dhe Ylli e Arben Zdrava, me administrator Dashnor Sinanajn. Kjo kompani rezulton ndër përfitueset më të mëdha të fondeve publike, me dhjetëra tenderë të fituar, ndërsa vetëm në shtatë vitet e fundit ka përfituar mbi 15 milionë euro nga fondet publike.






















