
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka hapur një procedurë të re prokurimi publik me vlerë mbi 1.89 miliardë lekë, ose rreth 20.1 milionë euro, e cila ka si objekt mirëmbajtjen e dy TEC-eve lundruese të ankoruara në zonën e Triportit në Vlorë. Tenderi i që po planifikohet në pikun e sezonit veror dhe larg vëmendjes publike, thellon edhe më tej faturën financiare për dy impiante që deri më sot i kanë hyrë pak ose aspak në punë vendit, teksa kostot e tyre rriten çdo ditë.
Dy platformat lundruese, të njohura si "Tigri 1" dhe "Tigri 2", erdhën në Shqipëri në shtator të vitit 2022 me premtimin se do të mbulonin deri në 15% të nevojave vendase për energji me një kapacitet prej 110 megavatësh. Mirëpo, referuar të dhënave zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2025, dy anijet prodhuan vetëm 77 gigavat energji, çka përbën më pak se 1% të prodhimit total në vend.
Pavarësisht këtij rendimenti pothuajse nul, faturat që shteti shqiptar paguan nga buxheti i tij mbeten marramendëse. KESH i paguan çdo ditë 60 mijë dollarë qira shoqërisë amerikane "Excelerate Energy" për anijet që ende nuk janë testuar plotësisht, si dhe 30 mijë dollarë të tjerë në ditë kompanisë italiane "Renco" për shërbimet e gjenerimit. Deri në fund të vitit të kaluar, faturat e paguara nga shteti vetëm për sjelljen dhe vënien në punë të tyre kapën shifrën e 62.8 milionë eurove, ndërkohë që kostoja e prodhimit arriti në 151 euro për megavat.
Si të mos mjaftonte kjo, në të njëjtën zonë ku janë akomoduar dy platformat lundruese që kanë filluar të shfaqin edhe problemet e para teknike, qëndron i konservuar prej vitesh edhe TEC-i tokësor i Vlorës. Bëhet fjalë për një tjetër projekt me kosto fillestare prej 130 milionë eurosh, për të mbajtur jashtë funksionit të cilit shteti vazhdon të paguajë miliona euro të tjera, duke krijuar një gropë të dyfishtë financiare në sektorin energjetik.
Lëvizja e fundit për tenderin 20-milionësh vjen pak kohë pas emërimit në krye të KESH-it të Viola Haxhiademit, ish-Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë gjatë kohës që dikasteri drejtohej nga Belinda Balluku. Haxhiademi, e njohur si një nga njerëzit e besuar të ish-zëvendëskryeministres, ka qenë subjekt i hetuesve të BKH pasi kanë ushtruar kontrolle në banesën e saj dhe vetë ajo është paraqitur në SPAK për të dëshmuar në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj ish-zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Ndërkohë, e gjithë historia e TEC-eve lundruese ndodhet nën hetim nga Prokuroria e Posaçme. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, në shkurt të vitit 2025 ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK, duke e cilësuar këtë projekt si një skemë abuzive të ngjashme me atë të inceneratorëve, me një dëm prej 80 milionë eurosh. Sipas opozitës, shpallja e emergjencës energjetike në tetor të vitit 2021 u bë në mënyrë artificiale dhe pa njoftuar mungesa reale, me qëllim paracaktimin e fituesit dhe shpërdorimin e fondeve publike e jo furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.
Kështu, ndërsa qytetarët shqiptarë përballen me faturat e kripura të energjisë dhe me premtimet e përhershme për "pavarësi energjetike", buxheti i shtetit vazhdon të derdhë miliona euro për dy anije ndryshku që prodhojnë më shumë kosto se sa dritë. Në fund të ditës, bilanci i kësaj "aventure" mbetet sa absurd aq edhe tragjik për taksapaguesit, miliona euro të shpenzuara për të paguar qiranë e anijeve që nuk punojnë, miliona të tjera për mirëmbajtjen e impianteve që nuk ndizen kurrë.






















