
Presidenti de facto i Nikaraguas, Daniel Ortega, ka deklaruar se në vend nuk do të mbahen më zgjedhje, duke sinjalizuar kalimin drejt një sistemi pa garë elektorale.
Deklarata u bë gjatë ceremonisë për 46-vjetorin e Revolucionit Sandinist të vitit 1979, ku Ortega tha se zgjedhjet nuk do të zhvillohen më për të penguar, sipas tij, rikthimin në pushtet të forcave politike të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara.
"Në Nikaragua nuk do të ketë më zgjedhje, për të mos lejuar që të përpiqen të marrin qeverinë dhe pushtetin. Koha kur partitë e mbështetura nga jankit dhe somozistët mund të riktheheshin në pushtet ka marrë fund", u shpreh Ortega.
80-vjeçari është në krye të Nikaraguas që prej 10 janarit 2007, pasi kishte drejtuar vendin edhe gjatë viteve 1980. Deklarata e tij vjen pas një sërë reformash kushtetuese që kanë zgjeruar kompetencat e tij dhe të bashkëshortes, Rosario Murillo, e cila është emëruar bashkëpresidente, ndërsa mandati presidencial është zgjatur nga pesë në gjashtë vjet.
Zgjedhjet presidenciale të vitit 2021 u kundërshtuan nga opozita dhe u kritikuan nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar, pasi autoritetet arrestuan kandidatët kryesorë rivalë të Ortega-s dhe figura të tjera të opozitës, duke lënë jashtë garës shumicën e kundërshtarëve të tij politikë.






















