Franca është bërë vendi i parë në Bashkimin Evropian që ndalon përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën moshën 15 vjeç, pasi parlamenti miratoi një ligj të ri që synon mbrojtjen e të miturve nga rreziqet e botës digjitale.
Nisma, e mbështetur nga presidenti Emmanuel Macron, pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, me nisjen e vitit të ri shkollor.
Sipas ligjit të ri, platformat e rrjeteve sociale do të jenë të detyruara të përdorin sisteme të verifikimit të moshës të miratuara nga autoriteti francez për mbrojtjen e të dhënave personale. Ato do të kenë gjithashtu katër muaj afat për të mbyllur llogaritë e përdoruesve që nuk përmbushin kufirin minimal të moshës.
Presidenti Macron e ka mbrojtur vazhdimisht këtë masë, duke argumentuar se ajo është e domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit mendor dhe zhvillimit të fëmijëve.
“Truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje”, është shprehur ai më herët, duke e konsideruar ligjin pjesë të strategjisë së Francës për të kufizuar ndikimin e tepërt të teknologjisë tek të rinjtë dhe për të nxitur përdorimin më të përgjegjshëm të pajisjeve digjitale.
Megjithatë, miratimi i ligjit ka hapur debat mbi mënyrën e zbatimit të tij. Kritikët shprehin dyshime nëse verifikimi i moshës mund të funksionojë në praktikë dhe paralajmërojnë sfida ligjore, sidomos në lidhje me përputhshmërinë e masës me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Komisioni Evropian pritet të shqyrtojë ligjin për të vlerësuar nëse ai respekton rregullat e bllokut.
Me këtë vendim, Franca i bashkohet vendeve që po ndërmarrin masa për të kufizuar aksesin e të miturve në rrjetet sociale. Australia ka vendosur tashmë një ndalim për përdoruesit nën 16 vjeç, ndërsa Greqia, Spanja, Suedia dhe Austria po shqyrtojnë miratimin e rregullave të ngjashme.






















