Sociale 23 July 2026, 11:33 Nga VNA

Nga algoritmi te të ardhurat, drafti i ri detyron platformat të justifikojnë vendimet ndaj krijuesve

Ndaje në Whatsapp
Nga algoritmi te të ardhurat, drafti i ri detyron platformat të

Platformat online që operojnë në Shqipëri do të duhet të justifikojnë jo vetëm heqjen e përmbajtjes, por edhe çdo vendim për pezullimin ose kufizimin e të ardhurave të krijuesve të përmbajtjes, sipas projektligjit të ri “Për Shërbimet Digjitale” i nxjerrë për konsultim. Drafti, i harmonizuar pjesërisht me Aktin Evropian për Shërbimet Digjitale (DSA), vendos një regjim të ri detyrimesh për shërbimet ndërmjetëse, duke zgjeruar kërkesat për transparencë, mbrojtjen e përdoruesve dhe përgjegjshmërinë e platformave që operojnë në tregun shqiptar.

Një nga ndryshimet me ndikimin më të madh prek ekonominë e krijuesve të përmbajtjes. Për herë të parë, projektligji trajton çmonetizimin si një vendim që duhet të jetë i arsyetuar. Platformat do të detyrohen t’u komunikojnë përdoruesve arsyet kur vendosin “pezullimin, ndërprerjen ose kufizime të tjera të pagesave monetare”, duke e vendosur kufizimin e të ardhurave në të njëjtin regjim me heqjen e përmbajtjes apo mbylljen e një llogarie.

Drafti shkon një hap më tej, duke u dhënë përdoruesve të drejtën të kundërshtojnë këto vendime. Sistemet e brendshme të ankesave që platformat do të jenë të detyruara të krijojnë do të mbulojnë edhe vendimet që “pezullojnë, ndërpresin ose kufizojnë ndryshe aftësinë për të gjeneruar të ardhura nga informacioni i ofruar nga marrësit e shërbimit”. Projektligji kërkon gjithashtu që shqyrtimi i këtyre ankesave të mos mbështetet vetëm në algoritme, por vendimet të merren “nën mbikëqyrjen e personelit të kualifikuar dhe jo vetëm mbi bazën e mjeteve të automatizuara”.

Përtej monetizimit, projektligji krijon një sistem të ri “njofto dhe vepro” për përmbajtjen e paligjshme. Ofruesit e shërbimeve të hostimit do të duhet të krijojnë mekanizma elektronikë përmes të cilëve çdo individ ose subjekt mund të raportojë materiale të dyshuara si të paligjshme. Platformat do të jenë të detyruara të konfirmojnë marrjen e raportimit, ta shqyrtojnë atë në mënyrë “koherente, të kujdesshme, jo arbitrare dhe objektive” dhe të njoftojnë raportuesin për vendimin e marrë dhe mjetet juridike në dispozicion.

Një tjetër shtyllë e reformës është rritja e transparencës mbi mënyrën se si funksionojnë platformat. Ofruesit do të publikojnë të paktën një herë në vit raporte me të dhëna mbi urdhrat e autoriteteve, njoftimet për përmbajtje të paligjshme, ankesat e përdoruesve dhe përdorimin e sistemeve të automatizuara për moderimin e përmbajtjes, duke përfshirë edhe tregues mbi saktësinë dhe shkallën e mundshme të gabimeve të tyre. Përjashtim bëjnë vetëm ndërmarrjet mikro dhe të vogla.

Projektligji zgjeron gjithashtu juridiksionin ndaj platformave të huaja. Çdo ofrues që nuk është i themeluar në Shqipëri, por u ofron shërbime përdoruesve shqiptarë, do të duhet të caktojë një përfaqësues ligjor në Shqipëri ose në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian, i cili do të shërbejë si pikë kontakti me autoritetet shqiptare për zbatimin e ligjit. Paralelisht krijohet edhe Koordinatori i Shërbimeve Digjitale, organi rregullator që do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit dhe bashkëpunimin me autoritetet vendase dhe homologët ndërkombëtarë.

Projektligji ruan një nga parimet bazë të modelit evropian, duke përcaktuar se ofruesit e shërbimeve ndërmjetëse nuk kanë një detyrim të përgjithshëm për të monitoruar përmbajtjen e përdoruesve. Megjithatë, ata do të jenë të detyruar të zbatojnë urdhrat e autoriteteve për heqjen e përmbajtjes së paligjshme ose për dhënien e informacionit mbi përdorues të caktuar, kur këto urdhra përmbajnë bazën ligjore, arsyetimin dhe identifikimin e qartë të përmbajtjes ose llogarisë që preket./Monitor

Video

Një çift amerikan përjetoi momente paniku gjatë një vizite në Shpellën Blu në ishullin e Kaprit, Itali, pasi varka me të cilën po udhëtonin u përplas me një shkëmb dhe nisi të mbushej me ujë. Ngjarja ndodhi teksa 49-vjeçarja Sherina Welch dhe bashkëshorti i saj po festonin 25-vjetorin e martesës. Për shkak të incidentit dhe vështirësive në komunikim me varkëtarin, u desh ndërhyrja e një varke tjetër, e cila i nxori të dy turistët në burg.

Tensione dhe përplasje u regjistruan paraditen e së enjtes para Kuvendit, ku protestuesit u përballën me forcat e Policisë. Protestuesit hodhën vezë dhe domate ndaj efektivëve dhe tentuan të çajnë kordonin e sigurisë, ndërsa Policia ndërhyri me ujë me presion, spraj me piper dhe gaz lotsjellës. Si pasojë e incidenteve, 6 punonjës policie mbetën të lënduar, disa protestues patën probleme shëndetësore dhe 5 persona u shoqëruan në Komisariat.

Pas përfundimit të protestës para Kryeministrisë, qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Në seancën e fundit parlamentare pati replika të forta mes deputetes socialiste Elisa Spiropali dhe kreut të PD-së, Sali Berisha. Spiropali kërkoi vetëkorrigjim të politikës, forcim të institucioneve dhe luftë kundër korrupsionit, ndërsa i bëri thirrje edhe opozitës të demokratizohet. Berisha iu përgjigj duke deklaruar se kritikat e saj nuk vijnë nga parimet, por nga humbja e pushtetit, teksa u shpreh: “Ty nuk të hëngri parimësia, por të hëngri Lubia.”

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme