
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur pasditen e së martës në Portin e Durrësit, ku një shofer kamioni humbi jetën pasi u përplas aksidentalisht nga një tjetër kamion gjatë procedurave të përpunimit doganor.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi në sheshin para skanerit të Portit. Shtetasi N. M., 49 vjeç, banues në Berat, duke drejtuar një kamion, dyshohet se ka goditur aksidentalisht shtetasin N. Sh., 62 vjeç, banues në Kosovë, i cili drejtonte një kamion tjetër dhe po lëvizte në këmbë për të dorëzuar dokumentacionin e mjetit të tij për t’iu nënshtruar kontrollit me skaner.
Si pasojë e përplasjes, 62-vjeçari ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Shoferi i kamionit, N. M., është shoqëruar në Komisariat, ndërsa ndaj tij po kryhen veprimet procedurale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e plota të aksidentit.






















