
Krimi i organizuar dhe korrupsioni vijojnë të mbeten ndër sfidat kryesore për Shqipërinë, sipas raportit të fundit për sigurinë të OSAC, strukturë e lidhur me Departamentin Amerikan të Shtetit.
Raporti evidenton një rritje me 17 për qind të kriminalitetit gjatë vitit 2025, e nxitur kryesisht nga veprat penale të lidhura me trafikun e drogës, mashtrimet dhe armëmbajtjen pa leje. Ndërkohë, Tirana është klasifikuar si qytet me nivel kërcënimi të mesëm.
Sipas vlerësimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, korrupsioni në administratë dhe sistemin e drejtësisë, si dhe fenomeni i pandëshkueshmërisë, mbeten shqetësime të rëndësishme.
Raporti thekson se pas krijimit të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) në vitin 2019 është rritur numri i hetimeve, arrestimeve dhe ndjekjeve penale ndaj zyrtarëve të dyshuar për abuzim. Megjithatë, sipas tij, një numër zyrtarësh, politikanësh, gjyqtarësh dhe individësh me interesa të fuqishme biznesi vijojnë të shmangin përballjen me drejtësinë.
Në raport përmendet gjithashtu korrupsioni në institucionet e paraburgimit dhe burgjeve, veçanërisht sa i takon aksesit në punësim dhe përfitimit nga programe të posaçme lirimi.
Lidhur me proceset zgjedhore, OSAC vlerëson se zgjedhjet e mëparshme në Shqipëri janë shoqëruar me shqetësime për ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa ciklet e fundit kanë shfaqur përmirësime dhe një proces më të balancuar.
Për zgjedhjet e vitit 2025, raporti sjell në vëmendje gjetjet e ODIHR, ku ngrihen shqetësime për përdorimin e burimeve publike gjatë fushatës, gjuhën përçarëse të përdorur nga partitë kryesore politike, mungesën e transparencës në financimin e fushatave dhe mbulimin e pabarabartë mediatik ndaj forcave më të vogla politike.
Raporti vlerëson se protestat dhe demonstratat politike në Shqipëri kanë qenë përgjithësisht paqësore, edhe pse në të kaluarën disa prej tyre janë shoqëruar me episode dhune. Ai përmend gjithashtu protestat e vitit 2026 kundër projektit luksoz në Sazan dhe Zvërnec, të cilat sipas raportit u shndërruan në manifestime më të gjera kundër qeverisë dhe korrupsionit, me disa raste të përshkallëzimit.






















