Ermal Beqiri, 44-vjeçar, një nga personazhet më kontrovers të botës së krimit, në kërkim për aferën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), është tashmë në pranga. Arratia e tij mori fund një javë më parë, kur policia franceze i shtrëngoi prangat në duar në qytetin e Amiens.
Ermal Beqiri, që në Shqipëri u bë i njohur pas ekspertimit të videos Meta-Prifti, ku ish-kryeministri në atë kohë shfaqej duke folur për një shumë parash, siç raportuan dje mediat franceze, u pikas fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, duke fluturuar në kuotë të ulët mbi një central bërthamor. Çështja iu referua strukturave të Xhandarmërisë Franceze dhe, pasi e shoqëruan avionin e tij të ulej dhe e morën në pyetje, vendosën ndalimin e tij. Beqirit, të paktën sipas raportimeve të para, iu gjetën edhe pajisje me vete.
Ai është vendosur në paraburgim dhe pritet që këtë të mërkurë të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
Ermal Beqiri akuzohet për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.
Ai u hetua nga SPAK dhe ndaj tij u caktua masa e arrestit në burg, pasi dyshohet se bashkë me Ergys Agasin krijuan një grup kriminal brenda AKSHI dhe urdhëronin rrëmbimin e rivalëve dhe, nën kërcënim, i detyronin të hiqnin dorë nga tenderat.
Milionat shkonin në kompanitë e Beqirit dhe kompanive satelite të kontrolluara prej tij.
Bëhet fjalë për miliona euro të grabitura nga ky grup kriminal. SPAK ka sekuestruar pasuri në emër të Agasit, Beqirit dhe ish-shefes së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, por ato janë në vlera të papërfillshme në raport me milionat e dyshuara të përfituara nga kjo skemë.
Ermal Beqiri, sikurse më herët VNA ka raportuar, është i prirur drejt një jete luksi. Ai rezulton se kishte blerë një jaht luksoz një vartëseje, ndërsa u arrestua teksa fluturonte mbi një central bërthamor.
Arrestimi i tij rezulton të jetë bërë një javë më parë dhe në Shqipëri është mbajtur në fshehtësi të plotë, pasi prokurorët e SPAK, në bashkëpunim me palën franceze, janë duke kryer edhe veprime të tjera hetimore rreth aktivitetit të Beqirit.
Përse fluturoi ai mbi një central bërthamor? A kreu përgjime, sikurse ndodhi në zyrën e Ergys Agasit, ku kamerat e instaluara filmuan çdo takim, përfshirë edhe me emra të rëndësishëm në vend? A ka filmime në pajisjet e tij? A do të ketë ndaj Beqirit një akuzë për spiunazh? Po SPAK, a po heton transferimin e milionave të korrupsionit brenda AKSHI-t nga Ermal Beqiri, nga Shqipëria drejt Francës?
Përgjigjet tashmë nuk i ka më Ermal Beqiri në arrati, por hetuesit. Çfarë fshihet në pajisjet e sekuestruara? Përse fluturoi mbi një central bërthamor? A do të zgjerohet hetimi edhe për rrugën e milionave të dyshuara të korrupsionit? Këto janë pyetjet që pritet të marrin përgjigje në ditët në vijim.






















