Policia e Shtetit ka reaguar pas arrestimit në Francë të Ermal Beqirit, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi i Beqirit u bë në qytetin e Amiens, Francë, pas bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi ai dyshohet për një sërë veprash penale, mes tyre heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, shkelje të barazisë në tendera apo ankande publike, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Policia bën me dije se Ermal Beqiri u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai ndodhet në paraburgim në Francë. Ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t’i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar dhe do të vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Policia e Shtetit
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal", si dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Shtetasi E.B, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Ditën e nesërme pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t'i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.






















