
Gjykata e Posaçme shtyu për në datën 10 shtator procesin ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi. Gjatë seancës, Ilir Meta, i cili akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, akuzoi SPAK-un se mashtron lidhur me çështjen.
“Jo pa qëllim ne kemi kërkuar persona të caktuar për të dëshmuar. Unë jam rrëmbyer më 21 tetor 2024 mbi bazën e një letërporosie të falsifikuar. Letërporosia erdhi në shtator për marrëveshjen me DSIS”, tha Meta.
Ai deklaroi se çështja ndaj tij u ngrit që në vitin 2018 nga revista Mother Jones, pas zgjedhjeve në SHBA, më 4 nëntor, kur iku regjimi i Charles McGonigal, pasi ky i fundit është i përfshirë në hetimet e mia dhe kjo është e konfirmuar nga gjykatat amerikane.
“Gjatë rrugës nga Shqipëria në Kosovë, McGonigal merrte edhe dekorata nga bashkia. Para se ky njeri të vinte në Shqipëri, McGonigal ka qenë në Vjenë dhe aty ka informacione se ka qenë me Tom Doshin. Në atë takim thuhet se ka qenë edhe shtetasi Durim Bami”, deklaroi Meta.
Sipas ish-presidentit, pas këtij takimi në skenë doli Romeo Kara, i cili bëri edhe kallëzimin penal ndaj tij.
Ndërkohë, lidhur me mesazhet e gjetura në telefonin e Kryemadhit, edhe Meta pretendon se SPAK-u ka shkelur ligjin, pasi ajo ishte deputete dhe nuk mund të veprohej pa autorizim nga Kuvendi.
“Historia e telefonatave që dëgjuam, unë kam qenë prezent kur është bërë kontrolli i banesës. Kam qenë prezent kur znj. Kryemadhi ka pretenduar se një nga celularët e gjetur aty ishte celulari i saj personal. Ajo ua ka bërë të qartë se ky është telefoni im dhe jo i mamasë sime. I vuri në dijeni se është deputete dhe, mesa mbaj mend, kanë rënë dakord që të shënohet në procesverbal”, theksoi ai.
Më tej, ish-presidenti deklaroi se “personalisht kam qenë kundër monopoleve dhe këtë gjë e kisha zgjidhur me ligj në Parlament dhe nuk kisha nevojë t’i kërkoja favore askujt. E gjithë kjo është për të mbajtur shtypin e gënjeshtërt dhe ne këtu do të vazhdojmë një proces të rregullt ligjor, në mënyrë që të zbardhet e vërteta”.
Më herët, Monika Kryemadhi paraqiti pretendimet e saj dhe kërkoi pyetjen e disa dëshmitarëve, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama.






















