Politika 29 July 2026, 15:04 Nga VNA

Projektligji i Bankës së Shqipërisë: Hiqet kontrolli parlamentar, ngushtohet edhe auditimi i KLSH-së

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-29 at 2.41.18 PM.jpeg

Brenda pak neneve, projektligji i ri për Bankën e Shqipërisë ndryshon disa nga mekanizmat kryesorë të kontrollit mbi institucionin.

Fillimisht u zbulua dispozita që parashikon se Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të ndalohen apo arrestohen pa autorizimin paraprak të Gjykatës së Lartë.

Tashmë, drafti prek edhe dy mekanizma të tjerë mbikëqyrjeje: kontrollin e brendshëm dhe auditimin e jashtëm.

Kuvendi humbet një kompetencë

Projektligji shfuqizon funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm, i cili sot zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe mund të shkarkohet vetëm nga Kuvendi.

Në vend të tij krijohet Departamenti i Auditit të Brendshëm, ndërsa drejtori i tij nuk do të zgjidhet më nga Parlamenti. Ai do të emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës me propozim të Guvernatorit.

Pra, institucioni që deri më sot kontrollohej nga një funksionar me legjitimitet parlamentar, në të ardhmen do të auditohet nga një drejtues i emëruar nga organet drejtuese të vetë Bankës së Shqipërisë.

Edhe pse projektligji deklaron se drejtori duhet të jetë i pavarur dhe nuk duhet të marrë udhëzime nga Guvernatori apo Zëvendësguvernatorët, mënyra e emërimit ndryshon rrënjësisht balancën ekzistuese mes kontrollit parlamentar dhe vetëqeverisjes së institucionit.

Kufizohet edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit

Projektligji vendos për herë të parë kufij të detajuar për Kontrollin e Lartë të Shtetit.

KLSH nuk do të mund të auditojë më politikën monetare, stabilitetin financiar, operacionet e tregut, funksionet themelore të bankës qendrore dhe as pasqyrat financiare të saj.

Kontrolli i tij do të kufizohet vetëm te veprimtaria administrative, si administrimi i aktiveve, pajisjeve, burimeve njerëzore dhe shërbimeve mbështetëse.

Po ashtu, drafti ndalon KLSH-në t’i japë çdo lloj udhëzimi Bankës së Shqipërisë dhe kufizon të drejtën e tij për të marrë dokumente vetëm në ato që lidhen me auditimin administrativ.

Një tjetër dispozitë parashikon se Banka e Shqipërisë nuk do të jetë e detyruar të hartojë plan veprimi për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së, ndryshe nga praktika që zbatohet për shumicën e institucioneve publike.

Pavarësi apo reduktim i mekanizmave të kontrollit?

Në pak javë, projektligji ka nxjerrë në pah tre ndryshime madhore: filtrin gjyqësor për masat ndaj Guvernatorit, eliminimin e Inspektorit të zgjedhur nga Kuvendi dhe kufizimin e kompetencave të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Qeveria i argumenton këto ndryshime me nevojën për të garantuar pavarësinë e bankës qendrore dhe për të harmonizuar legjislacionin me standardet e Bashkimit Evropian.

Megjithatë, drafti hap një debat thelbësor: deri ku shtrihet pavarësia e Bankës së Shqipërisë dhe në cilin moment ajo fillon të reduktojë mekanizmat e kontrollit dhe të llogaridhënies ndaj institucioneve kushtetuese?

Kjo pritet të jetë një nga çështjet më të debatueshme gjatë shqyrtimit të projektligjit në Kuvend.

Video

Për shkak të temperaturave që kanë kaluar 40°C, autoritetet në Nankin të Kinës kanë pajisur punonjësit e pastrimit me jelekë të posaçëm ftohës. Pajisjet janë të pajisura me dy ventilatorë dhe bateri portative me autonomi 3-4 orë. Ato ndihmojnë në qarkullimin e ajrit dhe avullimin e djersës, duke u siguruar punonjësve mbrojtje nga i nxehti ekstrem gjatë punës në terren.

Gentian Gjyli paraqitet në SPAK për njoftimin e zgjatjes së afateve të hetimit deri në tetor nga ana e Prokurorisë. Ish kreu i ARRSH-së është bashkë i pandehur me Belinda Ballukun për tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Monika Kryemadhi ka mbërritur në GJKKO, e shoqëruar nga avokati i saj, për seancën gjyqësore që do të zhvillohet ditën e sotme.

Dita e 59 e protestës, nis marshimi në rrugët e Tiranës

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme