Protesta qytetare para Kryeministrisë hyri sot në ditën e saj të 59-të, me pjesëmarrësit që përsëritën se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të kursit politik në vend.
Një nga folësit e protestës ishte mjeku Ermal Pashaj, i cili akuzoi qeverinë për abuzim me sakrificat e qytetarëve dhe për cenim të interesit kombëtar.
“Mos harroni se legjitimiteti i këtij të forti vjen për shkak të djersës dhe gjakut të popullit shqiptar. Ky vend nuk ka pse të jepet copa-copa, edhe duke cenuar sigurinë kombëtare. Kryeministri nuk ngopet duke e futur thikën në palcë të këtij populli. Por ne nuk dorëzohemi. Këtu do të jemi deri në fund”, deklaroi ai para protestuesve.
Sipas Pashajt, institucionet nuk respektojnë më dinjitetin e qytetarëve, ndërsa protesta do të vazhdojë derisa kërkesat e saj të marrin përgjigje.
Në tubim foli edhe një qytetare, e cila citoi pjesë nga një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit, duke i lidhur gjetjet e tij me akuzat që protestuesit kanë ngritur prej javësh ndaj qeverisë.
Sipas saj, raporti evidenton se Shqipëria vazhdon të përballet me sfida të lidhura me krimin e organizuar, korrupsionin, mungesën e transparencës dhe pandëshkueshmërinë.
“Shqipëria mbetet një vend ku kërkohet kujdes i shtuar për shkak të krimit të organizuar. Organizatat kriminale janë të përfshira në trafik ndërkombëtar dhe pastrim parash. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës mbeten problem, ndërsa pandëshkueshmëria vazhdon të jetë serioze. Këto janë pikërisht arsyet pse prej 59 ditësh jemi në këtë shesh”, u shpreh ajo.
Në përfundim të fjalës së saj, protestuesja deklaroi se lëvizja nuk do të ndalet, duke theksuar se pjesëmarrja do të vijojë edhe gjatë muajit gusht.
Protesta para Kryeministrisë vazhdon çdo mbrëmje, ndërsa organizatorët këmbëngulin se mobilizimi qytetar do të vijojë deri në realizimin e kërkesave të shpallura prej tyre.






















