
Pandeli Mërkuri u transportua në Qendrën Shëndetësore të Himarës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra nga shpërthimi i lëndës plasëse.
Një 65-vjeçar ka humbur jetën në Himarë, pasi u dëmtua nga shpërthimi i një lënde plasëse, teksa dyshohet se po peshkonte në mënyrë të paligjshme me dinamit.
Ngjarja ndodhi rreth orës 09:00, në afërsi të zonës së Porto Palermos. Sipas të dhënave paraprake, shtetasi Pandeli Mërkuri, 65 vjeç, është dëmtuar gjatë përdorimit të lëndës plasëse për peshkim.
I dëmtuari u transportua për ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore Himarë, por për shkak të plagëve të marra, ndërroi jetë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.






















