Politika 28 Prill 2025, 21:12 Nga VNA

Korça, rënia e mandateve favorizon barazimin

Ndaje në Whatsapp
Korça, rënia e mandateve favorizon barazimin

Numri i mandateve të deputetëve që zgjidhen në Qarkun Korçë ka rënë këto zgjedhje nga 11 në 10. Kjo sugjeron se secilës palë do t’i duhet përparim i madh në krahasim me zgjedhjet e kaluara për të arritur diçka më shumë se sa barazimi në numrin e mandateve.

Votuesit e Qarkut Korçë kanë dhënë rregullisht vota pothuajse të barabarta për të dy krahët e politikës shqiptare, ku votat për socialistët kanë qenë të garantuara ndërsa gjysma tjetër është luhatur dhe ndarë mes PD-së dhe LSI-së. Në rast se PD dhe LSI konsiderohen bashkë, rezultati në katër zgjedhjet e kryera me sistemin aktual ka qenë njësoj, me socialistët që kanë marrë pak më shumë se gjysmën e votave dhe me PD dhe LSI që kanë marrë pak më pak se sa gjysma. Dhe rezultati në mandate, gjë që është më e rëndësishme për shumicën qeverisëse të vendit, është ndarë barabar në dy palë zgjedhje por kalimi i LSI në koalicion me PS në vitin 2013 bëri ndryshimin ndërsa barazimi u kthye në vitin 2017.

Qarku i Korçës dërgoi 12 deputetë në zgjedhjet e vitit 2009 e 2013. Më 2009, mandatet u ndanë 6 me 6 për PS dhe PD ndërsa vota popullore u nda në 47% për koalicionin e udhëhequr nga demokratët dhe 48% për atë të udhëhequr nga socialistët. Një koalicion i udhëhequr nga LSI i quajtur Aleanca Socialiste për Integrim, mori 4% të votave, të pamjaftueshme për të prodhuar mandat dhe pa efekt në ndarjen e mandateve.

Në vitin 2013, LSI, kësaj here në koalicion me PS, arriti t’i marrë ish-aleatëve të vet demokratë 1 mandat, duke ulur PD-në në 5 dhe duke lënë PS-në në kuotën e pandryshuar prej 6 mandatesh.

Në zgjedhjet e vitit 2017, qarku i Korçës ra nga 12 në 11 mandate dhe në këtë rast, rënia në numër tek bëri që socialistët të realizonin një fitore të rëndësishme në mandate me avantazhin e tyre të vogël në vota pasi formula D-Hondt e ndarjes së mandateve favorizon partinë më të madhe nëse ajo fiton qoftë edhe një votë më shumë. Rrjedhimisht, socialistët ruajtën 6 mandatet e tyre por PD ra në 4 mandate dhe LSI mbajti një mandat, për një total 6 me 5 për të dy krahët e politikës.

Në zgjedhjet e vitit 2021, LSI humbi mandatin e saj në Korçë por mandati i humbur nga LSI ra në prehërin e PD-së. Në rast se LSI dhe PD do të garonin bashkë në ato zgjedhje, rezultati do të ishte njësoj, 6 për socialistët dhe 5 për opozitën, sepse socialistët edhe në ato zgjedhje fituan rreth 1600 vota më shumë se sa PD dhe LSI të marra bashkë.

Llogaritë duket se thjeshtohen në zgjedhjet e 11 majit për shkak  se numri i mandateve të qarkut ka rënë nga 11 në 10. Rrjedhimisht, nëse nuk do të ketë ndryshime thelbësore nga rezultatet historike, qarku i Korçës do të dërgojë pesë socialistë dhe pesë opozitarë në parlamentin e ardhshëm. Në rast se ndonjë nga palët dëshiron të marrë gjashtë mandate në Korçë, ajo do të duhet të ndryshojë mendimin e 6 apo 7 mijë qytetarëve nga mbështetja për kundërshtarin në mbështetjen e asaj vetë. Një ndryshim i tillë është jashtë të zakonshmes në zgjedhjet shqiptare.

Në zgjedhjet e pushtetit vendor 2023, socialistët i fituan të gjashta bashkitë e qarkut me 62% të votës popullore. Kandidatët socialistë fituan bashkërisht 66 mijë vota, ose rreth 6 mijë më shumë nga sa kishte marrë Partia Socialiste në vitin 2021. Në rast se socialistët marrin këtë numër votash në zgjedhjet e 11 majit, ato janë afër sigurimit të mandatit të gjashtë në qark.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e kaluara ka rënë në 46% ndërsa për zgjedhjet e 11 majit, rreth 20 mijë votues kanë aplikuar për të votuar nga emigrimi, shifër kjo e barabartë me 16% të votave  të hedhura në zgjedhjet e vitit 2021.

Profili demografik e social

Qarku i Korçës shtrihet në një zonë malore dhe shumë malore në Shqipërinë juglindore, me kuotën më të ulët në zonën e qytetit të Pogradecit, 700 metra mbi nivelin e detit dhe me rrafshnaltën e Korçës në kuotën 830 metra. Zona e Kolonjës është edhe më lartë.

Popullsia e qarkut ishte 173 mijë vetë në Censin e vitit 2023, me rënie 21% përkundrejt vitit 2011 dhe 34% kundrejt vitit 2001. Rreth 56% e popullsisë së qarkut banon në zonat rurale. Popullsia ka rënë si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Ekonomia është e përqendruar në bujqësi ndërsa turizmi i trashëgimisë kulturore është zhvilluar gjatë viteve në qytetin e Korçës, turizmi i natyrës është zhvilluar historikisht në Pogradec dhe turizmi malor në pothuajse të gjithë territorin.

Industria është e kufizuar ndërsa qytezat e Maliqit, dikur qendër e agroindustrisë, apo Kolonja e Leskoviku po kthehen gradualisht në fshatra.

https://infogram.com/1pv2wwem1lpd11sxv3j99llwj1ur09x00ve

Kandidatët

Niko Peleshi, ish-kryebashkiak, ish-zëvendëskryeministër dhe deputet prej vitit 2013 pritet të marrë mandatin e katërt radhazi pasi gjendet në listën e mbyllur të Partisë Socialiste krahas Romina Kukos, zëvendësministre dhe kryetare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. I treti në listë është Genti Lakollari, drejtor në opozicione të ndryshme të administratës publike qendrore e vendore në Korçë, së fundmi, nënkryetar i Bashkisë Devoll.

Ivi Kaso, Ledina Aliolli  dhe Bledjon Nallbati janë në listën e mbyllur të Koalicionit Shqipëria Madhështore. Dhjetë kandidatë në secilin krah synojnë të kapin katër mandatet e mbetura duke garuar nga listat e hapura.

Petro Lubonja, një emigrant në Greqi dhe Austri garon në krye të listës së Lëvizjes Bashkë ndërsa Arben Elezi, një ish-kryetar komune garon për Koalicionin Euroatlantik./BIRN/

 

Video

Shumë shtete në Shtetet e Bashkuara po përgatiten për një tjetër stuhi të ftohtë dimërore, vetëm disa ditë pasi një valë e mëparshme ka vrarë dhjetëra persona, ka lënë miliona amerikanë pa energji elektrike dhe ka ndërprerë udhëtimet ajrore. Një valë e re e të ftohtit pritet të godasë vendin gjatë fundjavës, duke sjellë temperatura rekord dhe stuhinë tjetër të madhe, ndërsa qytetarët përpiqen të rikuperohen nga dëmet e shkaktuara nga vala e parë. Sipas të dhënave të përpiluar nga AFP, të paktën 38 persona kanë humbur jetën si pasojë e ngjarjeve ekstreme të motit, aksidenteve ose hipotermisë. Mes viktimave janë edhe tre fëmijë, të moshës 6 deri në 9 vjeç, të cilët humbën jetën të hënën pasi ranë në një liqen të ngrirë në Teksas.

Një zjarr shpërtheu mbrëmjen e së martës në një hotel me pesë yje në vendpushimin e skive Courchevel, në Alpet Franceze, duke detyruar autoritetet të evakuojnë qindra persona. Sipas prefekturës së Savoie, flakët nisën rreth orës 19:00 (ora lokale) në papafingon e Hotel des Grandes Alpes. Fatmirësisht, nga zjarri nuk u raportuan persona të lënduar. Zyrtarët bënë me dije se fillimisht u evakuuan rreth 100 persona, ndërsa media lokale raportoi më pas se numri i të evakuuarve arriti në 270, pasi zjarri u përhap edhe në një ndërtesë fqinje. Stafi dhe banorët e hotelit u zhvendosën përkohësisht në hotele të tjera të zonës. Shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet.

Një protestë e bujqve në Toulouse është përshkallëzuar në tensione dhe përplasje me forcat e rendit gjatë ditës së sotme, teksa fermerë të mobilizuar kundërshtuan qeverinë lidhur me menaxhimin e sëmundjeve të bagëtive dhe marrëveshjet tregtare.  Autoritetet raportuan disa arrestime, me të paktën 6 persona të ndaluar nga policia për shkelje të urdhrave të rendit dhe për rezistencë ndaj zbatimit të ligjit gjatë protestës.

Kemi një deputet që kërkon rritjen e çmimit të duhanit që të na mbrojë shëndetin dhe të na standartizojë me BE…

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme