Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka vendosur të lejojë kandidimin e Jordan Dacit dhe Naureda Llagamit për vendet vakante për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ka ndaluar kandidimin e Lulzim Hamitajt.
Vendimet u morën në mbledhjen e zhvilluar këtë të hënë, më 21 shtator 2026, gjatë së cilës KED shqyrtoi aktet dhe procedurat e ndjekura për verifikimin e kandidaturave, si dhe dokumentacionin e përgatitur nga relatorët për plotësimin e kushteve ligjore nga kandidatët.
Ndërkohë, Këshilli vendosi ndalimin e kandidimit të Lulzim Hamitajt ish-komisionerit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), për të dyja vendet vakante. Hamitaj ka të drejtë të ankimojë vendimet në Gjykatën Administrative të Apelit, jo më vonë se pesë ditë nga dita e njoftimit të vendimeve të arsyetuara.
Për kandidaturat e Roland Ilias dhe Helena Papës, KED nuk mori një vendim përfundimtar. Diskutimi për këta dy kandidatë u shty, me qëllim kërkimin e dokumentacionit shtesë sqarues lidhur me vlerësimin e tyre.
Sa i përket kandidaturës së Alban Toros, Këshilli vendosi që shqyrtimi të vijojë në mbledhjen e datës 23 shtator 2026.
Gjykata Kushtetuese aktualisht ka 2 vakanca të krijuara në shtator të 2024 pas dorëheqjes së gjyqtares Elsa Toska dhe vakanca tjetër është krijuar pasi vetë Gjykata Kushtetuese konstatoi mbarimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejta në tetor të vitit 2025. Zëvëndësuesen e Elsa Toskës duhet ta emërojë Parlamenti, ndërsa të Sonila Bejtjas, Presidenti.






















