Një 27-vjeçar ka pranuar se vrau ish-partneren e tij 25-vjeçare në Igumenicë të Greqisë, pas një konflikti mes tyre. Fillimisht, i dyshuari kishte tentuar të largonte dyshimet nga vetja, duke pretenduar se ai dhe e reja ishin sulmuar nga katër persona me fytyra të mbuluara.
Viktima, e identifikuar si Penelope, u gjet e gjakosur dhe pa ndjenja pranë një shtegu biçikletash. Ekipet e urgjencës konstatuan vdekjen e saj në vendngjarje.
Sipas autoriteteve greke, 27-vjeçari ndryshoi më pas dëshminë dhe pranoi se kishte sulmuar ish-partneren pas një debati. Ai dyshohet se e goditi me thikë në qafë dhe më pas u largua. Një nga çështjet që dyshohet se shkaktoi konfliktin lidhej me një detyrim financiar që i riu kishte ndaj viktimës.
Policia e lokalizoi 27-vjeçarin pak kohë pas ngjarjes. Ai u gjet me plagë në kraharor, të cilat dyshohet se ia kishte shkaktuar vetes, dhe u dërgua në spital. Gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën.
Sipas mediave greke, 27-vjeçari dhe viktima kishin qenë në një lidhje, por ishin ndarë rreth një muaj më parë. Autoritetet po hetojnë historikun e marrëdhënies dhe rrethanat e plota që çuan në vrasjen e 25-vjeçares.






















