
Këshilli i Apelit në Selanik ka dhënë mendim në favor të ekstradimit në Shqipëri të Ilir Shtufit, 53-vjeçarit shqiptar që kërkohet nga autoritetet shqiptare për pjesëmarrje në një grup kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Shtufi, i cili deklaron se është biznesmen, u arrestua muajin e kaluar në Selanik në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet shqiptare.
Sipas dokumenteve të autoriteteve shqiptare, ai akuzohet se ka pastruar të ardhura të përfituara nga trafiku i sasive të mëdha të lëndëve narkotike. Në të njëjtat dokumente thuhet se ndër autorët e drejtpërdrejtë të trafikut dyshohet të jetë edhe një i afërm i 53-vjeçarit.
Kërkesa shqiptare për ekstradim u shqyrtua në një seancë publike nga Këshilli kompetent i Apelit në Selanik.
Gjatë seancës, mbrojtja e Shtufit argumentoi se aktakuza është e paqartë dhe pretendoi se Shqipëria kërkon ekstradimin e tij për motive politike.
“Jam biznesmen që prej vitit 1994. Drejtoj më shumë se 20 kompani në Shqipëri, që operojnë në sektorin e ndërtimit dhe energjisë”, deklaroi 53-vjeçari para gjykatës.
Ai shtoi se, sipas të dhënave që disponon, renditet ndër biznesmenët që paguajnë më shumë taksa në Shqipëri.
“Më akuzojnë se mbështes opozitën në Shqipëri”, tha ai, duke pretenduar se po përballet me një përndjekje politike dhe duke shprehur shqetësimin nëse do të ketë një proces të drejtë gjyqësor në Shqipëri.
Lidhur me praninë e tij në Selanik, ku u arrestua në një hotel të qytetit, Shtufi deklaroi se kishte udhëtuar “për të marrë pjesë në një festë” dhe se deri në momentin e arrestimit nuk kishte dijeni për akuzat që rëndonin ndaj tij në Shqipëri.
Këshilli i Apelit në Selanik pranoi kërkesën shqiptare, duke dhënë mendim pro ekstradimit të tij. Gjykata sqaroi se nuk shqyrtoi themelin e çështjes apo vërtetësinë e akuzave, por vetëm nëse plotësoheshin kushtet ligjore për ekstradim.
53-vjeçari ka të drejtë të ankimojë vendimin, në mënyrë që kërkesa e autoriteteve shqiptare të rishqyrtohet nga seksioni penal kompetent i Gjykatës së Lartë të Greqisë (Areopagu).






















