
Një edukatore në një kopsht privat në Tiranë është arrestuar nga policia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije 2-vjeçar brenda ambienteve të institucionit ku punonte.
Denoncimi është bërë nga babai i të miturit, pasi ka konstatuar shenja dhune në fytyrën e djalit. Fillimisht, ai e ka dërguar fëmijën në spital, ku i janë kryer ekzaminimet mjekësore. Sipas burimeve, 2-vjeçari kishte një të nxirë në faqe dhe skuqje në veshë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë shtetasen B. H., 32 vjeçe, me detyrë edukatore në një kopsht privat, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj të miturit.
Gjatë marrjes në pyetje, 32-vjeçarja Brunilda Haxhiu ka deklaruar se e ka goditur fëmijën me shpullë, pasi ai nuk po flinte dhe, sipas saj, "nuk po e duronte dot".
Sipas burimeve hetimore, edhe pamjet e kamerave të sigurisë të kopshtit kanë dokumentuar momentin kur edukatorja ushtron dhunë fizike ndaj 2-vjeçarit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.






















