
Erion Braçe ka një lajm të madh për shqiptarët: profili i tij në Facebook ka regjistruar 8 milionë shikime nga 23 shtatori deri më 22 tetor.
Për këtë arritje, deputeti socialist ka falënderuar publikun me një status të gjatë, ku mes mirënjohjes për klikimet ka gjetur vend të na japë edhe një leksion për dhunën, lirinë, normalitetin dhe të drejtën e kundërshtimit.
Madje ka sqaruar se përse i ka mbyllur komentet, duke folur për sulme të organizuara, profile të rreme dhe një infrastrukturë që, sipas tij, do të hetohet.
Por, meqë Braçe e ka kthyer Facebook-un në një tribunë ku numërohen shikimet dhe shpërndahen mësime qytetarie, kemi një këshillë shumë më praktike: Monetizoje profilin, Erion!
Tetë milionë shikime janë një mundësi e mirë për të ardhura. Për moralin, megjithatë, Facebook-u ende nuk ka shpikur një program monetizimi.
Dhe ka një ndryshim të vogël mes të qenit i ndjekur dhe të qenit i besuar. Dikush mund ta hapë profilin tënd për të të dëgjuar, dikush për të të kundërshtuar, dikush për të parë se çfarë ke shkruar kësaj radhe. Të gjitha numërohen si shikime. Asnjëra nuk është votëbesim.
Sa për normalitetin që Braçe e quan të drejtë të gjithkujt, shqiptarët kanë pasur vite të tëra për ta kërkuar edhe jashtë Facebook-ut, ndërkohë që ai ka qenë pjesë e pushtetit.
Prandaj, Erion, shikimet ktheji në lekë, nëse mundesh. Por moralin na e kurse. Se për atë nuk mjafton të kesh 8 milionë views. Duhet pak më shumë besim se nuk të kanë votuar për klikime por për të përmirësuar jetën e qytetarëve.






















