
Protestat e studentëve dhe gjimnazistëve, të cilat prej ditësh kanë përfshirë Tiranën dhe qytete të tjera të vendit, po marrin gjithnjë e më shumë mbështetje nga grupe të ndryshme të shoqërisë. Pas pedagogëve dhe mjekëve, lind pyetja nëse është momenti që edhe gjyqtarët dhe prokurorët të ngrenë zërin përballë qeverisë, me të cilën vetëm pak javë më parë u përplasën ashpër për çështjen e pagave.
Në pamje të parë, protesta e studentëve dhe konflikti i magjistratëve me qeverinë duken si dy çështje të ndryshme. Të rinjtë kërkojnë një të ardhme më të mirë, arsim cilësor, luftë kundër korrupsionit dhe përgjegjësi politike. Ndërsa gjyqtarët dhe prokurorët kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre financiare dhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithatë, të dyja çështjet kanë një pikë të përbashkët, pakënaqësinë ndaj mënyrës se si qeveria u përgjigjet kërkesave dhe detyrimeve që ka.
Përplasja mes magjistratëve dhe qeverisë nuk është e largët. Ajo u thellua gjatë muajve të fundit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 17 shkurtit 2026, e cila konstatoi probleme kushtetuese në formulën e llogaritjes së pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Kuvendit iu la afat deri më 31 korrik për të miratuar ndryshimet e nevojshme ligjore, por ky afat kaloi pa një zgjidhje. Më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë miratuan përllogaritjet përkatëse të pagave, ndërsa Ministria e Financave kundërshtoi ekzekutimin e tyre sipas kësaj formule.
Situata krijoi një përplasje të pazakontë mes institucioneve të drejtësisë dhe qeverisë. Gjyqtarët dhe prokurorët kërkonin zbatimin e vendimit kushtetues, ndërsa qeveria këmbëngulte se përcaktimi i pagave duhej të bëhej përmes një ligji të miratuar nga Kuvendi.
Konflikti nuk përfundoi as më 18 shtator, kur mazhoranca miratoi formulën e re të pagave. Ndryshimet nuk i kënaqën magjistratët, të cilët vetëm pak ditë më vonë iu drejtuan sërish Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit.
Pra, deri pak javë më parë, gjyqtarët dhe prokurorët ishin në një betejë të hapur institucionale me qeverinë për atë që ata e konsiderojnë cenim të të drejtave të tyre.
Nëse ata deri dje kundërshtonin qeverinë për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe për formulën e pagave, a është kjo një mundësi që pakënaqësinë e tyre ta shprehin edhe publikisht?
Sot, më 23 tetor, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të kalojë në seancë kërkesën e magjistratëve kundër ndryshimeve ligjore për pagat. Kjo tregon se konflikti nuk është mbyllur dhe se çështja mbetet ende e pazgjidhur.
Çfarë ndodh kur institucionet e shtetit nuk arrijnë të zbatojnë vendimet e një gjykate që ka fjalën e fundit për Kushtetutën?
Protestat e studentëve kanë hapur një debat më të gjerë mbi përgjegjësinë e qeverisë ndaj qytetarëve dhe institucioneve. Për magjistratët, ky mund të jetë një moment për ta rikthyer në vëmendje betejën e tyre.
Sepse nëse gjyqtarët dhe prokurorët pretendojnë se vetë shteti nuk po respekton të drejtat e tyre, atëherë konflikti nuk është më thjesht një debat për pagat. Është një çështje që prek besimin te ligji, drejtësia dhe funksionimi i shtetit. Dhe magjistratët në fund të ditës janë nënpunës që janë cenuar nga qeveria dhe këtë preoblem mund ta shprehin në shesh duke iu bashkuar, gjimnazistëve, studentëve, pedagogëve dhe mjekëve.






















