Ka diçka thellësisht shqetësuese kur Kryeministri i një vendi demokratik vendos të ekspozojë publikisht emrat dhe fytyrat e qytetarëve që protestojnë kundër tij, duke u kujtuar edhe të shkuarën e tyre të pretenduar penale.
Edi Rama, përballë protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e tij, ka zgjedhur t’u përgjigjet duke i identifikuar publikisht. Nga dikur “armiqtë e popullit” te sot “studentët me precedentë”, fjalori ka ndryshuar, por metoda e stigmatizimit publik të kundërshtarit sjell ndër mend një të shkuar që shqiptarët e njohin mirë.
Që kur Kryeministri është bërë prokuror, gjykatës dhe administrator i dosjeve penale të qytetarëve?
Nëse dikush ka kryer një krim, ekzistojnë policia, prokuroria dhe gjykatat. Por Kryeministri nuk mund ta përdorë autoritetin e shtetit për t’i paraqitur qytetarët si armiq publikë vetëm sepse protestojnë kundër tij.
Ironia bëhet edhe më e rëndë kur kujton se këtë moralizim po e bën drejtuesi i një mazhorance që është përballur prej vitesh me skandale dekriminalizimi, zyrtarë të dënuar apo nën hetim dhe akuza për lidhje të politikës me krimin e organizuar.
Si ka mundësi që precedentët penalë bëhen problem kaq i madh kur dikush kërkon dorëheqjen e Ramës, por nuk kanë qenë gjithmonë pengesë për të hyrë në politikë e për t’iu afruar pushtetit të tij?
Askush nuk ka imunitet për dhunën në protesta. Por askush nuk e humbet të drejtën për të protestuar vetëm sepse ka një të shkuar penale.
Dhe ka një pyetje tjetër që kërkon përgjigje: kush ia ka dhënë Kryeministrit këto të dhëna personale dhe me çfarë të drejte i përdor për komunikimin e tij politik?
Shqipëria e ka njohur një herë kohën kur pushteti hartonte lista armiqsh. Nuk ka nevojë ta provojë sërish, këtë herë me fotografi në Facebook.
Përpara se të publikojë listën e radhës me protestues që kanë precedentë, Edi Rama mund të bëjë publike një listë tjetër: atë të njerëzve me të shkuar kriminale që kanë gjetur strehë, karrierë apo mbështetje politike pranë pushtetit të tij.
Sepse në Shqipëri nuk mund të jetë kriminel ai që proteston kundër Kryeministrit dhe i respektueshëm ai që i shërben atij.






















