Komisioni i Etikës në Kuvend ka vendosur përjashtimin me 60 ditë të gjashtë deputetëve të opozitës, pas tensioneve dhe përplasjeve fizike të regjistruara gjatë seancës së fundit parlamentare.
Deputetët ndaj të cilëve është marrë masa disiplinore janë Flamur Noka, Belind Këlliçi, Fidel Kreka, Edi Paloka, Besart Xhaferri dhe Luçiano Boçi.
Vendimi është marrë pas kërkesës së mazhorancës socialiste, e cila kërkoi masa ndëshkuese ndaj ligjvënësve opozitarë për përfshirjen e tyre në incidentet e ndodhura në sallën e Kuvendit.
Seanca e fundit parlamentare u shoqërua me tensione të forta, debate dhe përplasje fizike mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës, ku në qendër të incidentit ishin Flamur Noka dhe Taulant Balla.
Përjashtimi i gjashtë deputetëve për dy muaj vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes mazhorancës dhe opozitës janë tensionuar më tej, ndërsa vendi po përballet me protesta kundër qeverisë.
Masa disiplinore pritet të thellojë përplasjen politike në Kuvend, duke lënë gjashtë ligjvënës të opozitës jashtë punimeve parlamentare për 60 ditët e ardhshme.






















