Në Shqipëri ka nisur një epidemi dorëheqjesh, por me një veçori interesante: askush nuk ia kërkon dorëheqjen vetes. Gjithmonë dikujt që ndodhet një kat më poshtë.
Prej ditësh, studentët dhe protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Edi Ramës. Kryeministri, nga ana e tij, ka gjetur një mënyrë origjinale për t’iu përgjigjur kërkesës: u kërkon dorëheqjen drejtorëve të përgjithshëm të institucioneve në varësi të ministrive.
Drejtorët e përgjithshëm, që deri dje mendonin se ishin pjesë e pushtetit, sot zbulojnë se janë pjesë e problemit. Dhe, meqenëse edhe ata kanë njerëz poshtë vetes, mund t’ua kërkojnë dorëheqjen drejtorëve të zakonshëm.
Kështu, dorëheqja zbret nga Kryeministria në ministri, nga ministritë në drejtoritë e përgjithshme dhe prej andej në drejtoritë rajonale. Një reformë administrative ku përgjegjësia udhëton vetëm në një drejtim: nga lart poshtë.
Në këtë histori ka vetëm një problem të vogël. Protestuesit nuk kanë dalë në rrugë për të kërkuar largimin e drejtorit të një agjencie, as të shefit të një drejtorie rajonale. Ata kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit.
Por, me sa duket, kërkesa është përkthyer ndryshe në zyrat e qeverisë. Kur qytetarët thonë «Rama ik», administrata duhet të kuptojë «drejtorët ikni».
Dhe ndoshta, pas gjithë kësaj vale shkarkimesh, do të zbulohet edhe fajtori i vërtetë i krizës: ndonjë drejtor i thjeshtë, diku në një zyrë të humbur të administratës, që nuk ka realizuar objektivat e performancës.
Madje, nuk përjashtohet që ai të jetë edhe një nga ata që pas pune del në bulevard dhe kërkon dorëheqjen e Edi Ramës.
Në atë rast, Kryeministri mund të ketë arritur një sukses të jashtëzakonshëm: të shkarkojë nga puna njerëzit që kërkojnë shkarkimin e tij nga pushteti.
Dhe kështu, në Shqipëri mund të japin dorëheqjen të gjithë, derisa të mbetet vetëm ai të cilit po ia kërkojnë.






















