
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka paralajmëruar nisjen e një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë në Bregun Perëndimor, pas një sulmi me armë zjarri pranë qytetit të Hebronit.
Gjatë sulmit, pesë izraelitë mbetën të plagosur, ndërsa dy palestinezë, të dyshuar si autorë, u vranë nga forcat izraelite.
Pas ngjarjes, Netanyahu urdhëroi rrethimin e Hebronit dhe përgatitjen për vendosjen e një bllokade të plotë në Bregun Perëndimor.
Kryeministri izraelit deklaroi se ushtria është e gatshme të ndërmarrë një operacion të përmasave të paprecedenta që prej vitit 1967, kur Izraeli mori kontrollin e territorit gjatë Luftës Gjashtëditore.
Sipas tij, operacioni do të përfshijë evakuimin e banorëve nga zona ku jetonin autorët e dyshuar të sulmit, kontrolle shtëpi më shtëpi dhe shkatërrimin e infrastrukturës që autoritetet izraelite e konsiderojnë të lidhur me terrorizmin.
Netanyahu theksoi se plani është përgatitur në bashkëpunim me ministrin e Mbrojtjes, Israel Katz, ndërsa koha e nisjes së operacionit do të përcaktohet nga autoritetet ushtarake.
Paralajmërimi vjen në një moment tensionesh të larta mes izraelitëve dhe palestinezëve, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve parlamentare në Izrael, të planifikuara për më 27 tetor.






















