Politika 23 October 2026, 18:47 Nga VNA

“Nuk kemi frikë!”/ Shtëpia botuese Pika pa sipërfaqe denoncon terrorin policor: Alfred Bushi u dhunua edhe në pranga, qytetarët u arrestuan teksa hanin në park

Ndaje në Whatsapp
“Nuk kemi frikë!”/ Shtëpia botuese Pika pa sipërfaqe

Shtëpia botuese Pika pa sipërfaqe ka dalë publikisht në mbështetje të protestave kundër qeverisë, duke denoncuar dhunën e policisë ndaj qytetarëve dhe arrestimin e Alfred Bushit, i cili u lirua mbrëmjen e djeshme pas 72 orësh ndalim.

Në një reagim të gjatë, botuesi Ataol Kaso shpjegon se faqja e shtëpisë botuese, e krijuar për të promovuar libra dhe aktivitete kulturore, është kthyer në një hapësirë denoncimi të asaj që po ndodh në rrugët e Tiranës dhe në Shqipëri. Rrethanat e jashtëzakonshme, sipas tij, nuk lejojnë heshtjen.

Kaso shpreh solidaritetin me kolegun dhe mikun e tij Alfred Bushi, i cili pas lirimit ka dëshmuar se është dhunuar fizikisht dhe verbalisht jo vetëm gjatë arrestimit, por edhe brenda ambienteve të policisë, në një kohë kur ishte plotësisht i neutralizuar dhe me pranga.

Vetë botuesi ka qenë dëshmitar i arrestimit, së bashku me bashkëbotuesin Arlind, pranë parkut Rinia. Ata ndodheshin të ulur në një lokal dhe nuk po merrnin pjesë në protestë, kur dhjetëra policë të pajisur me kaska, mburoja dhe shkopinj gome i rrethuan dhe i sulmuan.

Ndërhyrja nisi me hedhjen e gazit lotsjellës dhe vijoi me shtyrjen e qytetarëve drejt murit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Informacionit, goditjet me shkopinj gome dhe përdorimin e sprejit të piperit në fytyrë. Arrestimet, sipas Kasos, u kryen pa dallim, duke përfshirë edhe njerëz që pak minuta më parë po hanin sanduiçë dhe pica në park.

Denoncimi shkon përtej këtij episodi. Dhuna policore e ditëve të fundit përshkruhet si një përshkallëzim i vazhdueshëm, që ka arritur në ndjekjen e qytetarëve me automjete pa shenja policie, ndërhyrjen e civilëve të maskuar që marrin njerëz me forcë, dhunimin e të miturve, rrahjen e të rinjve dhe të rejave dhe përdorimin e plumbave të gomës, me pasoja të rënda për të lënduarit.

Ngjarja e parkut Rinia konsiderohet edhe më alarmante, sepse nuk bëhet fjalë për një përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, por për ushtrim dhune ndaj njerëzve që nuk po protestonin, nuk kishin provokuar policinë dhe nuk përbënin asnjë kërcënim për institucionet apo efektivët.

Për shtëpinë botuese, kjo është dhunë e paprovokuar dhe parandaluese ndaj qytetarëve, që ka marrë përmasat e një terrori të mirëfilltë policor.

Reagimi përmban edhe një thirrje urgjente drejtuar institucioneve vendase dhe ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për të ndërhyrë dhe për të ngritur zërin përpara se situata të përkeqësohet më tej.

Në të njëjtën kohë, mesazhi drejtuar Edi Ramës është i prerë: frika nuk do t’i largojë qytetarët nga rruga dhe protestat do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë nga pushteti.

Në përfundim, Ataol Kaso u bën thirrje të gjithë qytetarëve të dalin masivisht në protesta, në çdo orë dhe në çdo vend ku kanë mundësi, me paralajmërimin se dhuna që sot ushtrohet ndaj protestuesve dhe qytetarëve të tjerë mund të prekë nesër këdo, nëse nuk ndalet.

Lexo gjithashtu

Video

I riu flet për dhunën e ushtruar nga njerëz me maska

Pas sherrit me Flamur Nokën, Taulant Balla shfaqet me gishtin e fashuar

Këshillë për Braçen: Meqë ke kaq shumë klikime, monetizoje Facebook-un, por na e kurse moralin.

Ish-kreu i ARRSH, Gentian Gjyli, dhe ish-drejtori i KESH, Erald Elezi, janë paraqitur sërish në SPAK.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme