Ismael Saibari është një hap larg transferimit te Bayern Munich, pasi gjiganti bavarez ka arritur marrëveshje me PSV Eindhoven për kartonin e sulmuesit maroken.
Sipas raportimeve, Bayern kishte siguruar më herët dakordësinë personale me lojtarin, i cili pritet të firmosë një kontratë të vlefshme deri në qershor të vitit 2031. Pas marrëveshjes me futbollistin, klubet kanë finalizuar edhe negociatat për transferimin.
Tarifa e operacionit pritet të arrijë në rreth 50 milionë euro, duke përfshirë shumën fikse dhe bonuset e lidhura me paraqitjet individuale dhe sukseset sportive.
Aktualisht, Saibari ndodhet në Amerikën e Veriut me Kombëtaren e Marokut, ku ka spikatur edhe në Kupën e Botës 2026. 25-vjeçari realizoi golin e parë për përfaqësuesen marokene në barazimin 1-1 ndaj Brazilit në ndeshjen hapëse të fazës së grupeve.
Kontrollet mjekësore pritet të zhvillohen gjatë javës së ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara se transferimi të zyrtarizohet nga Bayern Munich dhe PSV Eindhoven.
Saibari vjen pas një sezoni mbresëlënës me PSV-në. Në 37 ndeshje në të gjitha garat, sulmuesi maroken realizoi 19 gola dhe dhuroi nëntë asistime, duke u shndërruar në një nga lojtarët kyç të skuadrës holandeze.
Me afrimin e tij, Bayern synon të shtojë më shumë kreativitet dhe efikasitet në repartin ofensiv, ndërsa Saibari pritet të jetë një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere për kampionët gjermanë.






















